Lajme

ZKA:Komuna e Malisheves pagoi 4.730 euro për punëtorët e stafit për një udhëtim në Shqipëri për çështje rekreacioni

Komuna e Malishevës.

Komuna e Malisheves në 19 pagesa në vlerë të përbashkët 517,935€, ka përdorë fondet e projekteve për qëllime tjera nga ajo për çka ishin planifikuar.

Kjo është bërë e ditur përmes një raporti të Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm.

“Në 19 pagesa në vlerë të përbashkët 517,935€, kemi identifikuar se Komuna ka përdorë fondet e projekteve për qëllime tjera nga ajo për çka ishin planifikuar, pa i zbatuar procedurat dhe kriteret për transferim dhe rialokim të ndarjeve buxhetore nga një projekt kapital në një tjetër. Këto projekte ishin për: Asfaltimin e rrugëve lokale, ndërtimin e kanalizimeve, ndërtimin e ujësjellësve, ndërtimin e rrugëve me kubëza, ndërtimin e ndriçimit publik, dhe për ndërtimin e infrastrukturës për gjatë lumit Mirushasegmenti nga ura në qendër deri të transiti” thuhet në raportin e Audimit.

Sipas ZKA-së kjo kishte ndodhur për shkak të hyrjeve në kontrata publike pa mjete të mjaftueshme për projekte të caktuara dhe shpenzimi i fondeve në projektet e caktuara me rastin e ekzekutimit të pagesave përmes vendimeve gjyqësore.

Lidhur më këtë ZKA-ja ka kërkuar nga Kryetari të sigurojë që gjatë ekzekutimit të pagesave për investime kapitale për të gjitha rastet, të respektohen shumat dhe kodet e projektit përkatës siç janë të miratuara në ligjin e ndarjeve buxhetore, dhe nëse paraqitet nevoja për ndryshimin e shumave apo të projekteve atëherë të kërkohet miratimi paraprak i Kuvendit Komunal.

Një tjetër gjetje nga ana e Auditorit del se me rastin e vlerësimit të raportimeve mujore për obligimet e papaguara të raportuara në MFPT, është  vërejtur se gjashtë (6) fatura me vlerë të përbashkët 199,707€, nuk ishin përfshirë në raportet mujore të obligimeve të papaguara.

Po ashtu shtatë fatura në vlerë të përbashkët 239,538€, ishin me vonesa në pagesë nga 12 ditë deri në 222 ditë.

Gjithashtu si rezultat i mos pagesës së obligimeve financiare me kohë, nga dy mostrat e testuar, pagesat e realizuara me vendime gjyqësore /përmbarimore në vlerë prej 33,250€, ishin keq klasifikuar. Pagesat ishin bërë nga kategoria ekonomike mallra dhe shërbime, derisa natyra e shpenzimeve ishte për investime kapitale.

Lidhur më këtë ZKA-ja, ka kërkuar që Kryetari duhet të sigurojë që planifikimi buxhetor i shpenzimeve të bëhet sipas kategorive adekuate si dhe pagesat të regjistrohen në kode përkatëse ekonomike në përputhje me planin kontabël të aprovuar nga Thesari.

Po ashtu në një rast Komuna e Malishevës kishte organizuar shëtitje jashtë vendit për stafin e saj, konkretisht në Shqipëri me kohëzgjatje prej katër ditë duke ua paguar shpenzimet e transportit dhe akomodimit për këtë aktivitet në shumë prej 4,730€, ku qëllimi i këtij udhëtimi ishte për çështje rekreacioni për punonjësit e komunës.

Sipas Komunës, kjo kishte ndodhë për shkak të mungesës së njohurive të zyrtarëve për mos lejimin e shpenzimeve të parasë publike për këtë qëllim.

Auditori ka gjetur se në 10 raste të pagesave në vlerë 340,768€ që janë realizuar pa u zbatuar procedurat e duhura.

Janë pranuar mallra, shërbime dhe faturat para së të behet zotimi i mjeteve./Shqip.com