Lajme

ZKA: 22 zyrtarë pa procedura të prokurimit janë punësuar në Komunën e Istogut

Komuna e Istogut

Gjatë vitit 2021, Komuna e Istogut kishte të angazhuar 22 zyrtarë me kontrata mbi vepër por pa procedurë të prokurimit ashtu siç kërkohet me ligj.

Zyra Kombëtare e Auditimi ka bërë të ditur se këta zyrtarë ishin angazhuar për pozitat si: zyrtar për tatim në pronë, zyrtar për siguri të Teknologjisë Informative, zjarrfikës, Inspektor i komunikacionit rrugorë, doktor i mjekësisë veterinare, etj.

“Në një rast të angazhimit me kontratë mbi vepër në vitin 2021 për pozitën zyrtar për subvencione, ishin zbatuar procedurat e rekrutimit sipas Ligjit të shërbimit civil dhe jo sipas nenit 84 të Ligjit për Zyrtarët Publik”, thuhet në raportin e auditimit.

ZKA ka njoftuar se sipas menaxhmentit, arsyeja përse nuk i kanë zhvilluar procedurat e prokurimit, ishte se këta zyrtar ishin të angazhuar edhe më parë, ku janë zhvilluar procedura të thjeshtuara të rekrutimit.

“Neni 84 i Ligjit për Zyrtarët Publik e përcakton se “Marrëveshjet për shërbime të veçanta, sipas paragrafit 4 të nenit 12 të Ligjit të Shërbimit Civil të Republikës së Kosovës, të lidhura para hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë të vlefshme deri në afatin e përcaktuar në ato marrëveshje në pajtim me dispozitat e lartcekura. Pas kësaj periudhe, marrëveshjet për shërbimet e veçanta lidhen sipas legjislacionit përkatës të prokurimit publik”’, thuhet tutje në njoftim.

Auditori ka treguar se moszbatimi i kritereve të përcaktuara ligjore për angazhimin e personave me marrëveshje për shërbime të veçanta, mund të cenojë parimin e konkurrencës, transparencës si dhe mund të ndikoj në diskriminimin e të tjerëve.

“Kryetari duhet të siguroj se janë ndjekur të gjitha procedurat dhe hapat e prokurimit në angazhimin e kontraktorëve individual për shërbime të veçanta, duke u kujdesur që personeli i angazhuar do të jetë për pozita jo të rregullta”, thuhet në rekomandimin e Zyrës Kombëtare të Auditimit drejtuar kryetarit të Istogut./Shqip.com