Lajme

Opozita ndezi zjarr në Kuvend, vjen reagimi i fortë nga PS, Braçe: S’e kanë bërë as fashistët, të marrin përgjigje penale

Deputeti socialist Erion Braçe ka reaguar për kaosin e shkaktuar ditën e djeshme në seancën plenare nga grupi i Sali Berishës dhe Gazment Bardhit, ku pati edhe tentativë për zjarrvënie.

Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, Braçe shkruan se ndezja e zjarrit në Kuvend dhe tentativa për zjarrvënie, është krimi më i rëndë kushtetues në Shqipëri të cilin nuk e kanë bërë as fashistët gjatë pushtimit italian e gjerman.

Duke e konsideruar si mjet terrori, Braçe shkruan se deputetët përgjegjës duhet të marrin përgjigjie penale për veprimet e tyre.

“Kuvendi i Republikës së Shqipërisë nuk është pronë! Zjarrvënia në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë nuk është djegie e pronës me zjarr. Jo! Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, është institucioni më i lartë kushtetues i vendit. Ndezja e zjarrit në të për ta djegur është krimi më i rëndë kushtetues në këtë vend. Nuk e ka bërë as fashizmi gjatë pushtimit. Ndaj kush e merr me shaka, e relativizon, e shpërfill nga pikëpamja kushtetuese e penale bën gabim të rëndë. Fashizmi që po sundon jetën politike për më shumë se një muaj me këtë mjet terrori, duhet të marrë përgjigje kushtetuese e penale!”– shkruan Braçe.

Ditën e djeshme, seanca u shoqërua nga i njëjti skenar me deputetët e opozitës, mbështetës të grupit Berisha e Bardhi të cilët përveç përmbysjes së karrigeve, hedhjes së tymueseve, ndezën edhe zjarr me deputetin Flamur Noka.

Ndaj këtyre veprimeve, reagoi edhe ministri i Brendshëm Taulant Balla i cili kërkoi që autoritetet të nisin hetimet për përgjegjësit për të cilët tha se nuk duhet të fshihen pas imunitetit të deputetit.

Ndaj Nokës dhe Vokshit, janë ngritur dy akuza, “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Shkatërrimi i pronës me mjete të tjera”, për veprat penale të neneve 151 dhe 154 të Kodit Penal, dënohen nga gjobë deri në 5 vjet burg.

/Shqip.com