Lajme

Zhdukja e mostrave të Astrit Deharit, LDK kërkon dorëheqjen e Haxhiut

Lidhja Demokratike e Kosovës, në konferencën e mbajtur për media, pas zhdukjes së mostrave të Astrit Deharit, ka kërkuar përgjegjësi institucionale, duke theksuar se kjo tregon më së miri për gjendjen në të cilën është katandisur Ministria e Drejtësisë.

Sipas këtij subjekti, ministrja Haxhiu nuk është e aftë ta reformojë sistemin e drejtësisë, me këto super skandale institucionale.

“Lidhja Demokratike e Kosovës vlerëson se zhdukja e mostrave të Astrit Deharit nga Laboratori i Toksikologjisë të Institutit të Mjekësisë Ligjore, i cili funksionon në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, është super skandal institucional dhe akt i shëmtuar kriminal.

Ky rast tregon më së miri gjendjen në të cilën është katandisur Ministria e Drejtësisë dhe institucionet vartëse të saj.

Ministrja e Drejtësisë është e pa aftë të menaxhoj Ministrinë e Drejtësisë, ashtu siç është treguar e pa aftë të reformojë sistemin tonë te drejtësisë. Prandaj, dorëheqja e saj është minimumi i përgjegjësisë së saj në këtë rast dhe në shumë raste tjera”, u tha në konferencën e LDK-së.

Tutje, Lidhja Demokratike i bënë thirrje Prokurorisë Speciale që ta zbardhin në plotni rastin e aktivistit politik, Astrit Dehari.

“Lidhja Demokratike e Kosovës i bën thirrje Prokurorisë Speciale dhe organeve të rendit që ta zbardhin shpejtë këtë rast kriminal të zhdukjes se mostrave dhe që të gjithë akterët e involvuar të marrin dënimin e merituar.

Lidhja Demokartike e Kosovës, po ashtu, kërkon nga të gjitha institucionet e rendit dhe të drejtësisë që ta zbardhin në plotni rastin e aktivistit politik Astrit Dehari”, theksohet në konferencën e LDK-së.

/Shqip.com