Zgjedhjet për kreun e PD kthehen në estradë, Sali Berisha përballë… vetes
Procesi për zgjedhjen e kryetarit të PD po zhvillohet mes polemikash të forta, pasi janë përjashtuar të gjithë kandidatët, ndërsa Sali Berisha do të jetë i vetëm në garë. Mes emrave të lënë jashtë janë ish-deputeti Ervin Salianji, nënkryetarja e FRPD, Alesia Balliu, aktivistja Evi Kokalari dhe anëtarja e PD, Mereme Sula.
Në këto kushte, në garë ka mbetur i vetëm Sali Berisha, duke e kthyer procesin në një formalitet që po kritikohet si i munguar në pluralizëm dhe alternativë reale. Një garë me një kandidat të vetëm nuk përmbush standardet minimale të një procesi zgjedhor konkurrues, duke e zbehur jo pak legjitimitetin e rezultatit.
Nga ana tjetër, kandidatët e përjashtuar kanë paralajmëruar se do të ndjekin rrugët ligjore për të kundërshtuar këtë proces dhe për të penguar rikonfirmimin e Sali Berishës në krye të PD. Salianji, Balliu dhe Kokalari pretendojnë se përjashtimi i tyre bie ndesh me Statutin dhe parimet demokratike që duhet të udhëheqin një parti politike.
Në këtë kontekst, zgjedhjet për kryetarin e PD-së po perceptohen në formë tallëse si “Berisha kundër… Berishës”, një proces ku mungesa e garës reale ngre pikëpyetje serioze mbi funksionimin e demokracisë së brendshme në parti.
Në jo pak raste Sali Berisha ka atakuar sjelljen e Edi Ramës ndaj proceseve në PS ku nuk ka patur zgjedhje por rikonfirmim të kryetarit, duke qenë se është parti fituese në çdo palë zgjedhje prej vitit 2013. Dhe në fakt, është vetë Sali Berisha i cili po imiton Edi Ramën në një PD e cila ka hyrë në vitin e 14 në opozitë.
/Shqip.com