Lajme

Zgjedhjet në veri: Fillon aplikimi për regjistrim që të votohet jashtë Kosovës

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve

Sot, ka filluar periudha e aplikimit për regjistrim për të votuar jashtë Kosovës për zgjedhjet e parakohshme në veri të Kosovës për Komunën e Leposaviçit dhe Zveçanit.

Kjo është bërë e ditur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i cili njoftoi se kjo periudhe kohore është nga datat 06.12.2022 deri me 09.12.2022.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se më 6 dhjetor ka filluar periudha e aplikimit për regjistrim për votim jashtë Kosovës për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin Komunal të Zveçanit dhe Leposaviqit. Afati i aplikimit për këtë periudhë do të përfundojë më 9 dhjetor 2022”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.

KQZ-ja njoftoi edhe se kush ka të drejtë të aplikojë për votim jashtë Kosovës për zgjedhjet e jashtëzakonshme në veri.

“Gjatë kësaj periudhe, shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë Republikës së Kosovës mund të aplikojnë për regjistrim për të votuar përmes postës për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar në këto katër komuna. Gjithashtu, edhe ata/ato që nuk kanë shtetësinë e Republikës së Kosovës, por që kanë të drejtë të jenë shtetas të Republikës së Kosovës, sipas Ligjit për Shtetësi, mund të aplikojnë”.

Kujtojmë se pas dorëheqjeve të kryetarëve të katër komunave në veri të Kosovës, presidenca e Kosovës ka vendosur që me 18 dhjetor të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme atje.

/Shqip.com