Lajme Ballkan

Zgjedhjet në Bosnje dhe Hercegovinë: Pesë persona të arrestuar për mashtrim zgjedhor

Pesë persona janë arrestuar në Bosnje nën dyshimin se kanë kryer vepër penale të mashtrimit zgjedhor.

Siç ka raportuar REL, sipas prokurorisë, ngjarja kishte ndodhur në qendrën e votimit në Hoziq.

Po ashtu, Prokuroria e Bosnjë e Hercegovinës tha se të dyshuarit kishin sjellë në qendër të votimit një sasi të madhe të fletëvotimeve të plotësuara.

Zëdhënësi i Koalicionit për Zgjedhje të Lira “Nën Vëzhgim”, Hasan Kamanjakoviq, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se komisionarët në Hoziq janë shkarkuar nën dyshimet për shkelje të Ligjit zgjedhor.

Bosnjë e Hercegovina po mban zgjedhjet e përgjithshme më 2 tetor, por pak ndryshim pritet për udhëheqjen e shtetit të mbërthyer nga klientelizmi, korrupsioni dhe varfëria.

Për çfarë po votohet në këto zgjedhje?

Qytetarët me të drejtë vote do të zgjedhin tri anëtarët e Presidencës boshnjake dhe 42 deputetë të Dhomës së Përfaqësuesve të Asamblesë parlamentare, për një mandat katërvjeçar.

Në nivel të entitetit, 98 deputetë do të zgjidhen për Parlamentin e Federatës boshnjake dhe kroate si dhe 83 për Parlamentin Kombëtar të Republikës Sërpska.

Po ashtu, në Republikën Sërpska zgjedhjet mbahen edhe për presidentin dhe zëvendëspresidentin e entitetit.

Sot mbahen zgjedhjet në Bosnje dhe Hercegovinë – SHQIP.com

Në Federatën boshnjake dhe kroate, në total 289 deputetë do të zgjidhen në dhjetë parlamentet e kantoneve.

Në zgjedhje po marrin pjesë 127 subjekte politike, prej të cilave 72 janë parti, 38 koalicione dhe 17 kandidatë të pavarur. Në nivel të përgjithshëm, numri i personave që po garojnë në zgjedhje është 7.258.

Në mbarë vendin janë 5.903 qendra votimi dhe 21 qendra votimi janë hapur në ambasadat dhe misionet konsullore që Bosnjë e Hercegovina ka në vende të ndryshme.

Zgjedhjet po ashtu po mbahen në kohën e pushtimit rus të Ukrainës që ka ndarë edhe më tej Bosnjën dhe ka rritur frikën se mund të rriten tensionet në këtë shtet të Ballkanit Perëndimor.

Bosnja është e ndarë në Federatën boshnjake dhe kroate dhe në entitetin e Republikës Sërpska, sipas Marrëveshjes së Dejtonit të vitit 1995, që i dha fund luftës trevjeçare në këtë ish-republikë të Jugosllavisë.

Toby Vogel, ekspert për Ballkanin, tha se ka dyshime se zgjedhjet do të jenë “transformuese”.

“Në fund të ditës, problemet në Bosnje nuk janë të lidhura se kush është në pushtet e kush është në opozitë, por se si pushteti është i strukturuar dhe ushtrimi i strukturës së pushtetit. Këto janë probleme strukturore që datojnë që nga marrëveshjet e paqes së Dejtonit dhe strukturave kushtetuese që ato përmbajnë”, tha ai.

Megjithatë, garë e ngushtë pritet të jetë për Presidencën trepalëshe, përfshirë edhe për ulësen boshnjake në këtë institucion.

Po ashtu, garë e ngushtë pritet të jetë për disa ulëse në dhomën e sipërme të Federatës së Bosnjë e Hercegovinës.

Vëmendje po ashtu i kushtohet garës në Republikën Sërpska dhe liderit të saj, Milloard Dodik, i cili po shtyn përpara përpjekjet për shkëputjen e këtij rajoni të dominuar nga serbët.

Dodik ka raporte të ngushta me Serbinë dhe Rusinë dhe llogarit në mbështetjen e tyre diplomatike dhe edhe në mbështetjen që t’i rezistojë strukturave federale të Bosnjës dhe presionit ndërkombëtar.

Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione ndaj Dodikut, fillimisht më 2017, dhe më pas sërish në janar të këtij viti për shkak të përpjekjeve të tij për ndarje./Shqip.com