Zgjedhjet në Argjentinë mund të sjellin në pushtet një admirues të ish-Presidentit Trump
Të dielën në Argjentinë po mbahet balotazhi në kuadër të zgjedhjeve presidenciale, që do të përcaktojnë nëse vendi me ekonominë më të madhe të Amerikës së Jugut do të marrë një orientim politik drejt së djathtës.
Kandidati populist Javier Milei, i cili merr pjesë për herë të parë dhe fitoi popullaritet nga shfaqja në emisione televizive, është krahasuar shpesh me ish-Presidentin amerikan Donald Trump. Ai përballet me Ministrin e Ekonomisë Sergio Massa, i partisë Peroniste, që ka shërbyer prej dekadash si forcë drejtuese në politikën argjentinase.
Nën drejtimin e zotit Massa, inflacioni është rritur në mbi 140% dhe varfëria është shtuar. Zoti Milei, që e konsideron veten si një kapitalist anarkist, propozon zvogëlimin e administratës shtetërore dhe ndërhyrjen ndaj inflacionit, ndërsa zoti Massa ka paralajmëruar për pasojat negative të politikave të tilla.
Zgjedhjet shumë të polarizuara i kanë detyruar shumë prej votuesve që të zgjedhin kandidatin që e mendojnë si opsionin më pak të keq të mundshëm.
“Çfarëdo që do të dalë nga këto zgjedhje nuk do të ketë besueshmëri”, tha Lucas Romero, drejtor i firmës konsulte politike “Synopsis”. “Do të ishte e jashtëzakonshme për Massan që të fitonte në këtë kontekst ekonomik, apo për Milein që të fitonte përballë një kandidati si Massa”.
Qendrat e votimit u çelën në orën 8 të mëngjesit dhe qëndrojnë të hapura për dhjetë orë. Votimi bëhet në letër, duke e bërë kështu procesin e numërimit të paparashikueshëm, por rezultatet fillestare pritet të fillojnë rreth tre orë pas mbylljes së votimit.
Ekonomisti Milei kaloi nga një kritik në televizion i “kastës politike”, drejt fitimit të një vendi në parlament dy vite më parë. Kritikat e tij të zgjatura pëlqehen nga argjentinasit që janë të zemëruar nga situata e vështirë ekonomike, në veçanti meshkujt në moshë të re.
“Paratë dalin për gjithnjë e më pak çdo ditë. Unë jam një individ i kualifikuar dhe rroga ime nuk mjafton për asgjë”, thotë Esteban Medina, një 26-vjeçar që punon në terapi fizike në Ezeiza, në rrethinat e Buenos Airesit.
Zoti Massa, një ndër personat më të njohur në një administratë gjerësisht jopopullore, shihej dikur si me shanse shumë të pakta për të fituar. Por, ai arriti të mobilizojë degët e partisë së tij Peroniste dhe doli në vend të parë në raundin e parë të votimeve.
Gjatë fushatës së tij elektorale, ai paralajmëroi argjentinasit se plani i kundërshtarit të tij për të eliminuar ministritë kryesore dhe reduktimin e madh të shtetit, mund të rrezikojë shërbimet publike, përfshirë shëndetësinë dhe arsimin, si dhe programet sociale që mbështesin shumë njerëz. Zoti Massa ka përqëndruar gjithashtu vëmendjen tek retorika shpesh agresive e kundërshtarit të tij dhe ka ngritur publikisht pikëpyetje për mprehtësinë e tij mendore; përpara raundit të parë të votimit, zoti Milei merrte ndonjëherë me vete në tubime një sharrë me motor.
“Shansi i vetëm i Massas për të fituar këto zgjedhje, në një kohë kur njerëzit duan ndryshimin… është t’i shndërrojë në një referendum nëse Milei është i përshtatshëm për t’u bërë president apo jo”, thotë Ana Iparraguirre, nga firma e anketimeve GBAO Strategies.
Votimi bëhet ndërsa zoti Milei aludon për manipulim të mundshëm elektoral, pretendime të ngjashme këto me të ish-Presidentit amerikan Donald Trump dhe ish-Presidentit brazilian Jair Bolsonaro. Pa paraqitur prova, zoti Milei pretendoi se në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale pati parregullsi që ndikuan tek rezultati. Ekspertët thonë se parregullsi të tilla nuk munden të ndryshojnë rezultatin e zgjedhjeve dhe se deklaratat e tij synojnë pjesërisht të mobilizojnë bazën e tij dhe të motivojnë mbështetësit që të monitorojnë qendrat e votimit. /VOA
/Shqip.com