Lajme

Zgjedhja e presidentit nga populli, pozitë e opozitë me propozime të ndryshme

Presidenca e Kosovës.
Presidenca e Kosovës.

Në Kosovë po kërkohet ndryshimi i zgjedhjes së presidentit, pasi që vendimin për këtë zgjedhje e merr Kuvendi dhe Qeveria sepse Kosova aktualisht është Republikë Parlamentare.

Rreth kësaj, shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila, ka thënë se zgjedhja e presidentit apo presidentes është pjesë e reformës zgjedhore dhe sipas saj për këtë do të punohet në grupin punues për reformë në kuadër të Kuvendit dhe se gjatë kësaj legjislature do të përmbyllet ky proces.

“Sa i përket zgjedhjes së presidentit apo presidentes kjo është pjesë e reformës  zgjedhore. Ne si Kuvend i Kosovës bashkë me kryetarin e Kuvendit dhe udhëheqësit e partive politike në Kuvend jemi të përkushtuar që sa më parë të fillojmë me grupin ad-hoc në kuadër të Kuvendit. Të fillojë përgatitjen e agjendës për reformën zgjedhore dhe në kuadër të saj do të trajtohet zgjedhja e presidentit apo presidentes. Është bërë kohë e gjatë që diskutohet reforma zgjedhore pa ndonjë rezultat sepse kjo legjislaturë e ka mundësinë e artë që të përmbyllim me sukses reformën zgjedhore”, tha Kusari-Lila.

Mimoza Kusari-Lila, shefe e Grupit Parlamentar të VV-së

Nga ana tjetër, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu tha se ndryshimet kushtetuese në Kosovë duhet të përshtaten me ndryshimet kushtetuese të Shqipërisë që të jetë një konfederatë shqiptare, senat shqiptar dhe një president mbarë shqiptar.

“Unë mendoj që sa i përket ndryshimeve kushtetuese dhe ndryshimit të Ligjit për zgjedhje na duhet një konsensus i përgjithshëm. Unë mendoj që ndryshimet kushtetuese të Kosovës duhet të përshtaten me ndryshimet kushtetuese të Shqipërisë që ta kemi një konfederatë shqiptare që ta kemi një senat shqiptar dhe një president të mbarë shqiptar. Këto janë idealet e mia dhe mendoj se janë të mundshme të realizohen. Po ka pasur president që janë zgjedhur nga Kuvendi që nuk kanë qenë anëtar të partive politike”, ka deklaruar Haxhiu.

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu.

Nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, shef i Grupit Parlamentar, ka thënë se ndryshimet kushtetuese janë temë e gjerë politike dhe duhet konsensus.

“Ndryshimet kushtetuese janë temë shumë e gjerë politike dhe kërkon konsensus politik. Në kontekstin e Kosovës të gjitha ndryshimet kushtetuese që bëhen duhet të jenë shumë të kujdesshme”, ka thënë ai.

Sipas Tahirit, është shumë e nevojshme që populli të deklarohet me votë për presidentin./Shqip.com

Besnik Tahiri – shef i grupit parlamentar të AAK-së