Lajme

Zgjedhja e Këshillit të ri Drejtues në UP, LDK: Partia në pushtet po vazhdon të kapë bordet e institucioneve të pavarura

Lidhja Demokratike e Kosovës

Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar pas zgjedhjes së Këshillit të ri Drejtues të Universitetit të Prishtinës, duke thënë se partia në pushtet po vazhdon të kapë bordet e institucioneve të pavarura me qëllim të shtrirjes së ndikimit dhe të kontrollit në institucione.

LDK përmes një postimi në Facebook, ka thënë se përzgjedhja në masë të madhe dëshmoi se anëtarët u përzgjodhën me kriter partiak-klientelist, dhe jo akademik, me disbalanc total gjinor, duke mos e respektuar as Ligji për Barazi Gjinore.

“Këtë ndikim partia në pushtet e ka bërë përmes ushtrimit të presionit ndaj senatorëve dhe organizatave studentore të afërta me partinë në pushtet, të cilit i ka ndihmuar një interpretim kundërthënës që u ka marrë mandatin senatorëve nga radhët e studentëve, për çfarë kishte pakënaqësi dhe protestë para Rektoratit të UP-së”, thuhet në reagim.

Nga LDK-ja kanë përkujtuar se Këshilli Drejtues i UP-së është organi më i lartë vendimmarrës i Universitetit të Prishtinës, që mbikëqyr punën e Rektorit dhe funksionimin e Universitetit edhe në rrafsh buxhetor.

“Qeveria e Republikës së Kosovës ka rol në punët e menaxhimit të UP-së përmes anëtarëve që i cakton MASHT-i në Këshillin Drejtues. Por, jo duke përcaktuar direkt anëtarët nga trupi akademik”, thuhet tutje në reagim.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka kërkuar respektim të autonomisë së Universitetit dhe përjashtim të ndikimit partiak në UP.

Gjatë ditës së premte para objektit të Rektoritatit të UP-së ka pasur tensione në mes të studentëve dhe Policisë së Kosovës.

Senatorët e mandatit të kaluar në Universitetin e Prishtinës, kanë dal për të  penguar procesin e zgjedhjes së Këshillit të ri drejtues.

Të njëjtit kanë qëndruar pra Rektoratit për të mos i lejuar të hyjnë brenda objektit dekanët, profesorët dhe të fituesit e zgjedhjeve të fundit.

Lexo edhe:
Tensione mes studentëve e policisë para Rektoratit, kërkohet ndalimi i mbledhjes për zgjedhjen e Këshillit Drejtues

Kjo mbledhje ishte paraparë që të fillonte nga ora 14:00, teksa edhe policia është paraqitur në vendin e ngjarjes, mirëpo pavarësisht tensioneve Këshilli ka mbajtur mbledhjen./Shqip.com