Ekonomi

Zgjedhja e Burbuqe Hanës në krye të Telekomit nuk e kishte miratimin e britanikëve

Zgjedhja e Burbuqe Hanes në krye të Telekomit të Kosovës nuk ishte miratuar nga kompania britanike BDO, e kontraktuar nga Ambasada britanike në Kosovë për ta përcjellë procesin e zgjedhjes së kryeshefit në Telekom.

Britanikët e kishin vlerësuar me pikë maksimale një tjetër kandidatë në garë. Kreshnik Domi mori pikët maksimale në mesin e pesë kandidatëve në garë.

Buletini Ekonomik ka siguruar dokumentin që dëshmon se Domi ishte i preferuari i britanikëve. Mirëpo, përkundër kësaj, bordi i Telekomit vendosi për Burbuqe Hanën.

Në një komunikatë për media nga Telekomi, të lëshuar menjëherë pas rizgjedhjes së Burbuqe Hanës, thuhet se Bordi i Drejtorëve të Telekomit të Kosovës me datë 07.12.2022, me vendim unanim, përzgjodhi zonjën Burbuqe Hana në pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv të Telekomit të Kosovës, me mandat trevjeçar.

“Komisioni në bazë të metodologjisë për vlerësimin e Zyrtarëve të Lartë, të përcaktuar nga Partneri zbatues për monitorim (BDO), ka bërë poentimin e të gjithë kandidatëve të intervistuar, ku znj. Burbuqe Hana është vlerësuar nga Komisioni Vlerësues me më së shumti pikë”, thuhet në komunikatë.

Bordi i Drejtorëve i TK Sh.A. konstaton që i gjithë procesi i rekrutimit për pozitën e punës Kryeshef Ekzekutiv ka qenë transparent, i rregullt dhe në bazë të Ligjit, Kodit të Etikës dhe Qeverisjes Korporative.

/Shqip.com