Zëvendësohet shqiptarja që qëndroi tri ditë në krye të ChatGPT

Emmett Shear, ish-shefi i Twitch, është emëruar në krye të OpenAI.
Emërimi i tij vjen vetëm pak ditë pas shkarkimit të Sam Altman nga Bordi i OpenAI dhe emërimi i shqiptares Mira Murati, si ushtruese e detyrës.
Përmes një postimi në rrjetin social “X”, Shear shkroi se i është besuar posti i një prej kompanive më të rëndësishme në botë dhe se do bëjë gjithçka për ta fuqizuar.
Ai ka theksuar po ashtu planin e tij me 3 pika për 30 ditët e ardhshme, që nga punësimi i një hetuesi të pavarur për të gjithë procesin e punës në kompani e deri te reformimi i plotë i menaxhimit dhe skuadrës drejtuese për rezultate të frytshme në vijim.
Nga ana tjetër, sipas mediave të huaja, Mira Murati bashkë me punonjës të tjerë, kundërshtuan shkarkimin e Sam Altman. Madje edhe investitorë të rëndësishëm të Microsoft kërkuan që Altman të kthehej në kompani si shef ekzekutiv.
Ende është e paqartë se çfarë ka ndodhur me Mira Muratin.
Por ajo ka shkruar në “X” një fjali të vetme: OpenAI nuk është asgjë pa njerëzit e saj!
/Shqip.com