Lajme

Zëvendës Sekretari i NATO-së: Është koha që Kosova dhe Serbia të bëjnë kompromise

Mircea Geoana - Zëvendëssekretari i përgjithshëm i NATO-së

Zëvendës Sekretari i NATO-së, Mircea Geona ka thënë se tashmë është koha që Kosova dhe Serbia të bëjnë kompromise.

Ai këtë e bëri të ditur gjatë një bisede telefonike me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

“Është mirë të flas sërish me Miroslav Lajçak. NATO mbështet fuqishëm përpjekjet e vazhdueshme diplomatike me Beogradin dhe Prishtinën të udhëhequr nga BE-ja. Është koha që të dyja palët të bëjnë kompromise. Angazhimi ynë për stabilitet të qëndrueshëm në Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë edhe NATO_KFOR, është i fortë”, ka thënë ai.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, të shtunën do të zhvillojnë takim, në Ohër të Maqedonisë së Veriut, ku me shumë gjasë pritet që të nënshkruhet nga të dy palët, plani evropian për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Bashkimi Evropian ka bërë të ditur se fillimisht, kryediplomati evropian, Josep Borrell, do të zhvillojë takime të ndara me dy liderët, nga ora 10:00, ndërkohë që më pas do të pasojë takimi kokë më kokë mes dy liderëve.

/Shqip.com