Lajme

Zëri i Amerikës: Kosova dhe Serbia do të ftohen në Samitin për Demokraci

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden

Kosova dhe Serbia do të ftohen në Samitin për Demokraci, i cili organizohet nga presidenti amerikan, Joe Biden. 

Kështu raportoi këtë të premte Zëri i Amerikës, në versionin e gjuhës serbe, përcjell Shqip.com.

Lexo edhe:
Kurti për mosftesën në Samitin për Demokraci: Nuk është fundi i botës

Ky mediumi megjithatë ka thënë se ende nuk ka marrë konfirmim zyrtar për këtë informacion dhe se i është drejtuar Departamentit të Shtetit, por nuk ka pranuar ende përgjigje.

Ditë më parë, mediumi amerikan “Politico” publikoi një listë me 100 shtete që janë ftuar nga Bideni për Samitin e dhjetorit, që do të mbahet për herë të parë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Lexo edhe:
Von Cramon: Kosova do duhej të ftohej në Samit, Biden ta rregullojë gabimin

Kosova ka mbetur jashtë kësaj liste. Bashkë me të, jashtë kanë mbetur edhe Serbia dhe Bosnja.

Ambasada Amerikane në Prishtinë ka dhënë arsyet se përse Kosova është lënë anash këtij samiti.

“Samiti për Demokraci i Presidentit është një nga shumë nismat amerikane e fokusuar në avancimin e demokracisë, luftimit të korrupsionit dhe promovimin e respektimit të të drejtave të njeriut anë e mbanë botës. Jo të gjithë partnerët mund të akomodohen në këtë nismë”, thuhet në njoftimin e ambasadës.

Mosftesa e Kosovës në këtë samit ka ngjallur reagime të shumta. Opozita ka fajësuar kryeministrin, Albin Kurti dhe presidenten, Vjosa Osmani. Sipas tyre, ata janë duke e “izoluar” Kosovën. /Shqip.com