Lajme

Zeqiri: S’ka përgjigje për kërkesat tona, prioritet është pensionimi i parakohshëm

Njësia Speciale Intervenuese
Njësia Speciale Intervenuese

Kryetar i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri, ka thënë se ende nuk janë takuar me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, për t’i vendosur prioritetet se cila nga 14 kërkesat e tyre mund të realizohen nga qeveria në një kohë të shkurtër.

Kjo pasi më 20 dhjetor të viti të kaluar, pas protestave të Njësiteve Speciale të Policisë së Kosovës, zyrtarët të Sindikatës së PK-së kishin zhvilluar takim me ministrin Xhelal Sveçla dhe drejtorin e PK-së, Gazmend Hoxha, për të diskutuar se cilat kërkesat mund t’i realizoj qeveria.

Zeqiri ka thënë se pavarësisht se në atë takim ishin koordinuar që në fillim të këtij viti të takoheshin dhe të vendosin prioritetet se cila nga kërkesat mund të realizohen, ende nuk ka ndodhur një takim i tillë dhe pse Sindikata i ka dërguar kërkesë përsëri ministrit për ti rikujtuar se duhet të takohen.

Ai ka theksuar se ata do të jenë insistues që ky takim të ndodhë dhe të plotësohen kërkesat e tyre.

“Për takimin që ka ndodhur në dhjetor të viti të kaluar me ministrin u dakorduam që kërkesat të cilat i dorëzuam edhe i paraqitem edhe gjatë bisedimeve në takimin e dhjetorit u dakorduam që në takimin e ardhshëm të ulemi të bisedojmë, ti vendosim prioritetet se cila nga kërkesat mund të realizohet një kohë më të shkurtër, e cilat mund të mbesin më vonë. Ky takim nuk ka ndodhur ende, nuk e dimë pse nuk ka ndodhur takimi edhe pse ne kemi adresuar një kërkesë për ti rikujtuar ministrit se duhet të takohemi. Pritem që të kryejmë edhe paraqitjen para Komisionit për peticione dhe definitivisht jemi në pritje të një caktimi të takimit nga ministri. Ende nuk e ka caktuar nuk kemi ndonjë informacion arsyet pse. Po shpresojmë që do të realizohet së shpejti dhe ne do të jemi insistues që ky takim të ndodhë dhe të shohim se cilat do të jenë prioritet për t’u realizuar kërkesat të cilat veç i kemi dorëzuar tekë ministri i Punëve të Brendshme”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se si prioritet për ta është ligji për pensionim mbi moshën 55 vjeçare, shujta ditore, shpenzimet e udhëtimit e paga e 13-të.

“Në realitet unë më shumë do të doja që kur të ulemi që të bisedojmë të marrim një pasqyrë një mendim nga vetë ministri se cilat qeveri mund ti realizoj të parat e cilat pak më vonë. Si prioritet mbi prioritete është ligji për pensionim mbi moshën 55 vjeçare, ligji është hartuar që disa vite dhe që duhet të behte, mandej shujta ditore, shpenzimet e udhëtimit, paga e 13-të të cilën jemi duke e realizuar me padi që të mos dëmtohemi edhe si fond i policisë dhe si fond i qeverisë, të bëhen me kohët këto. Mirëpo pa hequr dorë edhe nga kërkesat e tjera”, ka thënë ai për EO.

Zeqiri ka thënë se nëse nuk plotësohen këto kërkesa që ata kanë, dorëheqjet e zyrtarëve policorë do të rriten edhe më shumë, tani edhe pas liberalizimit të vizave.

“Sa për fillim që nga liberalizimi i vizave nga një janari nuk kemi ndonjë lëvizje të dukshme, ndonjë lëvizje të jashtëzakonshme qoftë të dorëheqjeve. Mirëpo nëse vërtet qëndrojmë në këto kushte dhe nuk realizohet as njëra nga këto kërkesa ose nuk fillojnë që të realizohen kërkesat dyshoj shumë që deri ka mesi i viti mos do të kemi ndonjë fluks apo ndonjë dorëheqje më shumë se zakonisht. Për shkak se dorëheqjen në PK ka pasur edhe para se të liberalizohen vizat. Vitin e kaluar kemi pasur mbi 100 dorëheqje vullnetare, këtë vit kemi filluar vetëm muajin e parë diku me rreth 10 dorëheqje vullnetare e që këto varen prej kushteve. I vetmi parandalim për dorëheqje në PK është plotësimi i kushteve dhe mirëqenies”, ka thënë ai

Protesta e PK-së vitin e kaluar kishin ndodhur pasi qeveria kishte miratuar pako të re për shtesat për njësitë elitare dhe njësitë e tjera policore.

Sipas kësaj pako, për njësitë elitare, përkatësisht për Njësinë Speciale Intervenuese, Njësinë për Ndërhyrje të Shpejtë dhe Njësinë për Mbrojtje të Afërt, shtesat janë 150 euro mbi pagën bazë.

Ndërkaq, për Njësinë për eksplozivët dhe deminim, Qeveria ka thënë se shtesa do të jetë në vlerë prej 120 eurosh.

Pjesëtarët e patrullave kufitare do të përfitojnë nga 100 euro në muaj, ndërsa pjesëtarë të hetuesisë nga 75 euro shtesë në muaj.

Ekipet reaguese dhe patrullat, që përbëjnë numrin më të madh të Policisë së Kosovës, do të marrin nga 60 euro shtesë në muaj, kurse policëve që angazhohen për sigurinë e objekteve dhe ata në menaxhim të operacioneve, do t’iu ndahen nga 50, përkatësisht 40 euro shtesë të rrezikshmërisë.

/Shqip.com