Lajme

Zemaj reagon pas dyshimeve për helmimin e qytetarëve në Deçan

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj

Ish-ministri i Shëndetësisë nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Armend Zemaj, ka reaguar pas dyshimeve se rreth 800 qytetarë të Deçanit janë helmuar nga uji i pijes.

Zemaj ka shprehur shqetësim të thellë lidhur me rastin, teksa ka kërkuar analizë të plotë të shkaqeve dhe pasojave, njofton Shqip.com.

“Shpreh shqetësimin e thellë për numrin e madh të qytetarëve të disa fshatrave të komunës së Deçanit lidhur me dyshimet për infektimin me ujin e pijes. Shëndeti publik i qytetarëve nuk guxon të rrezikohet, aq më pak, të kalojë pa analizë të plotë të shkaqeve dhe pasojave. Të gjithë të prekurve ju uroj shërim të plotë!”, ka shkruar ai në Facebook.

Rreth 800 banorë të Komunës së Deçanit kanë kërkuar ndihmë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në kësaj komune nën dyshimin për helmim me ujë të pijes.

Lidhur me këtë, drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), Naser Ramadani, deklaroi se bazuar në analizat e para të kryera në Deçan qytetarët nuk janë helmuar nga uji i pijshëm.

Përmes një konference për media të thirrur nga Ministria e Shëndetësisë të hënën, Ramadani tha se në bashkëpunim me ministrinë nga mostrat e marra kanë nxjerrë rezultatet e dyta laboratorike, të cilat nuk konstatojnë se uji që vinte nga ujësjellësi rajonal i Deçanit është i kontaminuar./Shqip.com