Lajme

Zemaj: Plani i atentatit ndaj Abdixhikut është shqetësues, nuk i kemi hak askujt

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj ka reaguar ndaj kërcënimeve dhe planit të atentatit ndaj Abdixhikut dhe disa figurave tjera të LDK-së, ashtu siç është raportuar dhe konfirmuar nga Policia e Kosovës.

Zemaj ka deklaruar se ky lajm është shqetësues për familjet e personave të kërcënuar dhe gjithashtu për popullin e Kosovës.

Sipas tij, Policia e Kosovës është në kontakt me Abdixhikun dhe kolegët e tjerë të LDK-së, duke theksuar se si parti besojnë në organet e drejtësisë.

“Ne duhet të besojmë në organet tona të sigurisë, pavarësisht nga përvojat jo të mira nga e kaluara. Nuk është mirë që kemi këso informacione, por shpresojnë se organet e sigurisë do të bëjnë punën e tyre për të sqaruar rastin.

Është në duar në Policisë së Kosovës shtjellimi i rastit. Ne jemi institucionalista dhe presim të shohim se çfarë do të hetojnë”, tha Zemaj në Kanal10.

Tutje, deputeti i LDK-së ka deklaruar se informacioni për këtë rast ka ardhur në 24 orët e fundit dhe se është e dhimbshme që ekziston një urrejtje patologjike ndaj LDK-së.

Lexo edhe:
Kujtim Shala e konfirmon: Ekzistonte plani për atentat ndaj Abdixhikut

“Është e frikshme që ekziston një mendësi në Kosovë që dikush duhet të eliminohet politikisht, vetëm pse mendon ndryshe në aspektin politik. Nuk i kemi hak askujt. Për fat të keq ka një urrejtje patologjike ndaj LDK-së”, thekson Zemaj.

Kujtojmë se, lajmin e atentatit ndaj Abdixhikut dhe disa figurave tjera në LDK, e ka konfirmuar më herët, edhe deputeti tjetër i LDK-së, Kujtim Shala.

/Shqip.com