Lajme

Zemaj me dyshime ndaj Simmons: Uroj se me pretendimet ndaj EULEX s’po provoni të dilni vetë i pastër

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, i cili është edhe anëtar i Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsion, derisa e pyeti ish-kryetarin e Asamblesë së Gjyqtarëve të EULEX-it në Kosovë, se pse nuk i ka shprehur shqetësimet e tij lidhur me keqpërdorimet që janë bërë në këtë mision, tek Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i tha këtij të fundit se shpreson që këto pretendime nuk kanë të bëjnë me çështje personale në mënyrë që të dalë i pastër nga ato, njofton Insajderi.

Në seancën e sotme që po mbahen me video-lidhje, midis deputetëve të këtij komisioni dhe Simmons, Zemaj tha se uron që ish-gjyqtari i EULEX-it i ka adresuar brengat e tij te shtetet e QUINT-it, qoftë edhe jopublikisht.

“Shpresoj dhe dëshiroj të bësoj se nuk është diçka personale prej të cilës dëshironi të dilni i pastër, por uroj t’i keni raportuar këto çështje në shtetin tuaj dhe në shtetet tjera, posaçërisht te shtetet e QUINT-it që kanë një rol mbrojtës të jetës politike dhe institucionale në vend”, ka thënë Zemaj, derisa e pyeti për përfshirjen e SHBA-së në këtë çështje midis tij dhe EULEX-it.

Këtyre dyshimeve të Zemajt iu përgjigj Simmons, duke thënë se ka të drejtë të dyshojë meqë nuk ishte i vetmi që e ka bërë këtë pyetje.

Simmons thotë se punësimi i tij ishte bërë nga Ambasada e Britanisë së Madhe dhe në rast se do të raportonte në Ambasadën e SHBA-së, ai do të drejtohej për tek ambasada e Britanisë.

“Keni të drejt të mendoni dhe të shpresoni se arsyet pse jam sot këtu mund të jenë personale. Edhe gjatë këtyre viteve të fundit njerëzit më kanë pyetur pse po i bëj këto akuza tani dhe pse tani po i ngris këto çështje. Në fakt unë po i ngris këto çështje që nga 2013-ta. Që nga 2008-ta kam dërguar email-a të shumtë drejt Britanisë, edhe pse shumë prej tyre nuk kishin të bënin me korrupsion, por mendoj se ishte viti 2013 kur e kisha të qartë se gjërat kanë shkuar shumë keq. Më pyetët pse nuk kam raportuar te Ambasada e SHBA-së, por unë duhej të shkoja te punëdhënësi im që ishte Ambasada e Britanisë në Kosovë. Edhe po të shkoja te Ambasada e Amerikës, ata do të më drejtonin për tek ambasada e Britanisë”, ka thënë ai. /Shqip.com