Lajme

Zëdhënësi i Speciales jep detaje rreth vizitës së Veselit në Kosovë

Gjykata Speciale në Hagë
Gjykata Speciale në Hagë

Zëdhënësi i Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, Michael Doyle, ka thënë se pas vizitës në Kosovë, Kadri Veseli është transferuar në Hagë më 11 janar.

Doyle ka dhënë informacione edhe mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë në këtë gjykatë.

“Gjykatësi i Procedurës Paraprake udhëzoi Zyrën Administrative të organizonte këtë vizitë nën arrest drejt Kosovës për z. Veseli që të vajtojë me familjen, dhe që u lejua për arsye humanitare bindëse. Gjatë vizitës, i akuzuari qëndroi në paraburgim dhe nën ruajtje nga Dhomat e Specializuara. EULEX-i dhe Policia e Kosovës mbështetën Dhomat e Specializuara të Kosovës gjatë vizitës”, ka thënë Doyle gjatë konferencës për media të mbajtur më 13 janar.

Ndër tjerash, ai njoftoi edhe për rifillimin e seancave për çështjen gjyqësore të Nasim Haradinaj dhe Hysni Gucati.

“Sipas Rregullores së Procedurës dhe Provave, gjykatësit e trupit gjykues duhet të jenë të pranishëm në të gjitha fazat e procesit dhe seancat nuk mund të mbahen në mungesë të një gjykatësi. Gjykatësi rezervë mund të zëvendësojë një gjykatës me kohë të plotë vetëm në rastet kur ky i fundit përgjithnjë nuk mund të vijojë të marrë pjesë në një çështje gjyqësore, ndërron jetë ose jep dorëheqjen”, ka thënë ai, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas Doyle, seancat filluan me paraqitjen e provave prej Mbrojtjes së Haradinajt.

“Dëshmitari i parë ishte vetë z. Haradinaj. Në fillim të dëshmisë, trupi gjykues pranoi deklaratën e tij si provë. Deklarata lidhet me të shkuarën e tij, mendimin rreth DHSK-së dhe ZPS-së, interpretimin e tij të “interesit publik” dhe veprimet e sjelljen e tij sa u takon veprave penale për të cilat ngrihen akuzat. Më pas, z. Haradinaj iu parashtruan pyetje nga Mbrojtja e vet”, bëri të ditur Doyle.

Gjithashtu tha se mbrojtja e Gucatit nuk kishte pyetje për Haradinajn.

“Pyetjet nga ana e Prokurorisë filluan ditën e mërkurë dhe pritet të përfundojnë sot ose nesër. Dëshmitari tjetër në çështjen gjyqësore Gucati dhe Haradinaj pritet të fillojë dëshminë nesër ose të hënën”, ka thënë ai.

Ndërsa, për çështjen gjyqësore të Pjetër Shalës, konferenca përgatitore për ecurinë e çështjes është planifikuar të mbahet më 14 janar.

Kurse, gjykimi i Salih Mustafës do të rinisë të martën, më 18 janar, me dëshminë e dëshmitarit Ë04485, të thirrur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

“Ky dëshmitar pritet të dëshmojë me masa mbrojtëse, ku përfshihet ndryshimi i zërit dhe fytyrës”, ka thënë ai./Shqip.com