Lajme

Zbulohet një bazë grupimesh kriminale në Kurbin

Një bazë furnzimi me mjete për grupet kriminale me qëllim kryerjen e krimeve është zbuluar në zonen e Fushë-Kuqës në Kurbin, ndërsa 1 përson u vu në pranga.

Kontrollet e policisë u zhbvilluan në kuader të operacionit “Sundimi i ligjit” dhe si rezultat i hetimeve të thelluara që po kryhen intensivisht për të zbardhur ngjarjet e rënda kriminale të ndodhura së fundi në territorin e Qarkut të Lezhës.

Në fshatin Gorre, njësia administrative Fushë Kuqe, shërbimet e Policisë Kriminale të Lezhës dhe ato të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë Shkodër, kanë kryer kontrolle në një banesë të vjetër në pronësi të shtetasit Aleks Alushi.

Gjatë kontrolleve janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale: 1 automjet tip “Mazda”, me ndërhyrje dhe me dëmtime në strukturën e tij, për të pamundësuar përcaktimin e të dhënave të automjetit, 5 motomjete me fuqi të lartë motorike, të dyshuar të vjedhur, 4 palë targa, për automjete dhe motomjete, të dyshuara të vjedhura në qytete të ndryshme të Shqipërisë dhe në Kosovë, 400 gramë lëndë e dyshuar eksplozive, me fitil zjarrpërcjellës, e gatshme për shpërthim, kapuçë si maska, doreza dhe skafanda motomjetesh, veshje për kamuflazh, si dhe një sërë sendesh të tjera që do t’i shërbenin kryerjes së ngjarjeve të rënda kriminale.

Në vijim të veprimeve procedurale për rastin, u arrestua në flagrancë pronari i banesës, shtetasi Aleks Alushi 40 vjeç, për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasje”, “Trafikim i mjeteve motorike”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Vjedhja”.

Strukturat hetimore vijojnë intensivisht punën me qëllim arrestimin e shtetasve për llogari të të cilëve posedoheshin këto mjete/sende dhe që ishin bashkëpunëtorë në këtë veprimtari kriminale, ndërsa materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.

/Shqip.com