Lajme

Zbulohet laborator kokaine në Fier, dërgesa bëhej në rrugët Kolumbi-Mali i Zi-Shqipëri

Një laborator kokaine është zbuluar së fundi në qytetin e  Fierit në Shqipëri.

Operacioni i urdhëruar nga SPAK ka rezultuar me mbylljen e këtij laboratori në Fratar të Fierit.

Sipas TCh, operacioni u realizua edhe me fazën e vëzhgimeve për tre muaj nga ana e SPAK-ut, Dea-s, Forcës së  Ligjit dhe policisë malazeze.

Kokaina, e fshehur në thasë me pleh artificial, është zbuluar nga policët malazezë në korrik, me ndihmën e Drejtorisë së të Ardhurave dhe Doganave, pasi ngarkesa mbërriti në Portin e Tivarit.

Sipas informacioneve, ngarkesa e drogës ka ardhur nga Kolumbia, ka mbërritur në Portin e Tivarit dhe në fund në Fratar të Fierit.

Ngarkesa ishte sjellë prej kohësh, thanë burimet Tch ndërsa SPAK vëzhgoi e përgjoi për të identifikuar rolin e secilit që është i përfshirë.

Në operacionin e vëzhgimit sekret gjatë këtyre tre muajve, sipas burimeve, kanë qenë të angazhuar 60 oficerë të Policisë së Shtetit.

Është goditur i gjithë grupi kriminal si porositës, pritës dhe baza e ngritjes së laboratorit.

SPAK ka regjistruar procedimin dhe ka marrë autorizimet për t’i kthyer në prova ligjore, pas angazhimit edhe të OPGJ-së dhe të Forcave  Operacionet Speciale të Policisë së Shtetit.

/Shqip.com