Lajme

Zbulohen mbi 18 kilogramë drogë në Prishtinë

Policia e Kosovës/ Ilustrim

Policia e Kosovës ka konfiskuar mbi 18 kilogramë marihuanë në një aksion të realizuar në Prishtinë gjatë së hënës.

Forcat e rendit kanë bërë të ditur se aksioni ka qenë pjesë e zgjerimit të hetimeve lidhur me rastin paraprak të koduar “Peshorja”.

Gjatë kontrolleve të realizuara në dy shtëpi në Prishtinë dhe një shtëpi tjetër në Barilevë, pos drogës, është konfiskuar edhe një veturë dhe një telefon.

“Sot më datë 16.01.2023, gjatë zbatimit të masave të veçanta të autorizuar edhe nga Prokuroria dhe Gjykata Themelore në Prishtinë, është ndaluar vetura golf 3 me targa vendore që drejtohej nga i dyshuari mashkull kosovar me iniciale (V.K; 1982) dhe gjatë kontrollit është gjetur substancë e dyshuar narkotike e llojit Marihuanë. Gjatë kontrollit të shtëpive, dy persona tjerë të dyshuar me iniciale (V.K; 1994 dhe S.S; 1979) nuk kanë qenë në shtëpi dhe të njëjtëve u është lënë ftesa për lajmërim në polici”, ka njoftuar policia.

Tutje është thënë se të dyshuarit tanimë të arrestuar, i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orëve, përderisa hetime nga antidroga e Policisë së Kosovës janë në proces lidhur me rastin.

Më 29 dhjetor të vitit të kaluar, policia kishte arrestuar 3 persona dhe kishte konfiskuar mbi 1 kilogramë me substanca narkotike.

/Shqip.com