Lajme

Zbulohen mallra të kontrabanduara në vlerë të mijëra eurove

Policia  e Kosovës në dy raste ka arritur të zbuloj një sasi të konsiderueshme të mallrave që kishin për synim të futeshin kontrabandë në territorin e Kosovës.

Njëri aksion është zhvilluar në bashkëpunim me Doganën e Kosovës në Viti, ku është vërejtur një automjet i dyshuar pa targa, i cili po lëvizte në rrugën Kabash-Smirë-Viti, i cili përkundër urdhrave të zyrtarëve policorë për ndalim ka tentuar që të largohet, ku gjatë ikjes ka shkaktuar aksident trafiku me njërën nga veturat zyrtare të policisë.

Të dyshuarit mashkull kosovar me iniciale M. M. gjatë kontrollimit të mjetit që e drejtonte, i janë gjetur

mallra të ngarkuara në vlerë tregu mbi 25.000 euro, mallra të cilat dyshohet se janë kontrabanduar

përmes rrugëve ilegale nga RMV – RKS, e që janë si në vijim:

– Poça elektrikë – 7100 copë,

– Rrush i terur rreth 300 kg,

– Arra të qëruara rreth 1040 kg,

– Arra indiane rreth 200 kg,

– Tekstil jakne 158 copë,

– Çanta krahu për femra 55 copë,

– Jelek-mont 25 copë,

– Çorape 6 palë dhe 1 palë këpucë për femra.

Me urdhër të prokurorit kompetent në Gjilan, i dyshuari është ndaluar për 48 orë, ndërsa malli dhe automjeti i përfshirë në rast dërgohen në terminalin doganor Dheu i Bardhë.

Rasti i dytë ka ndodhur në pjesën veriore të vendit, ku Njësia për Ndërhyrje të Shpejtë në Jarinje është gjetur një veturë e braktisur në fshatin Jellakce, ku e njëjta po ashtu ishte pa targa, në të cilën ndodheshin mallrat e kontrabanduara (pijet alkoolike dhe të gazuara).

Lidhur me rastin në vendngjarje kanë dalë njësitë përkatëse policore, është bërë tërheqja e mjetit i cili

është dërguar në terminalin doganor Mitrovicë, në ndërkohë që janë ndërmarrë të gjitha veprimet e

nevojshme policore, për procedurat e mëtejme hetimore.

/Shqip.com