Lajme Ballkan

Yuri Kim takon Ballën e Alibeaj, diskutojnë për zbatimin e reformës në drejtësi

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Yuri Kim gjatë ditës së sotme ka zhvilluar takim me shefat e grupeve parlamentare , Taulant Ballën nga Partia Socialiste dhe Enkelejd Alibeaj nga Partia Demokratike.

Kështu është bërë e ditur përmes një njoftimi nga Ambasada e SHBA-ve në Shqipëri.

“Ambasadorja Yuri Kim u takua sot me Kryetarët e Grupeve Parlamentare Taulant Balla (PS) dhe Enkelejd Alibeaj (PD) për të diskutuar një gamë të gjerë çështjesh në agjendën e Parlamentit dhe marrëdhëniet dypalëshe SHBA-Shqipëri”, thuhet në njoftim.

Ambasada e Amerikës në Tiranë

Po ashtu është bërë e ditur se temë e diskutimit ka qenë edhe zbatimi i reformës në drejtësi.

“Ajo theksoi gjithashtu që tani është koha për të shtuar përpjekjet për zbatimin e reformës në drejtësi, të cilën Parlamenti e kaloi njëzëri në 2016 dhe që po fillon të tregojë rezultate” është thënë më tutje në njoftim.

Gjithashtu, Ambasadorja Kim nënvizoi rëndësinë që ka bashkëpunimi i të gjitha partive politike, për të rritur transparencën dhe përgjegjshmërinë e të gjitha institucioneve, për të refuzuar përpjekjet për të minuar demokracinë e Shqipërisë./Shqip.com