Lajme

Ymeri: Mostakimi i Kurtit me Ramën, refuzim i përgatitjes për Procesin e Berlinit

Analisti, Visar Ymeri
Analisti, Visar Ymeri

Ish-deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh analisti, Visar Ymeri, ka thënë se refuzimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që të takohet me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, në Prishtinë dhe refuzimi i drekës së përbashkët këtë të hënë në Tiranë është në njëfarë mënyrë refuzim i përgatitjes për Procesin e Berlinit.

I ftuar në emisionin “Debat Plus”, ku po diskutohet për “refuzimin”, e kryeministrit Kurti që të marrë pjesë në takimin joformal në Tiranë, Ymeri ka thënë se “kjo logjika gati se izolacioniste që po e shohim shpesh herë te Kurti, i cili pretendon që vetëm ai mbron politikën parimore dhe askush tjetër mendoj që është jashtëzakonisht e gabuar për Kosovën”.

“Kurti ka bërë gabim të madh që nuk ka shkuar në takim, pa hyrë në arsyet pse nuk ka shkuar. Kam qenë gjithnjë i kënaqur që Kosova të mos i refuzojë takimet rajonale. Refuzimi i takimit me kryeministrin Rama në Prishtinë dhe refuzimi i drekës së përbashkët sot është në njëfarë mënyrë refuzim i përgatitjes për Procesin e Berlinit. Ajo që është fakt është që sot kryeministri Kurti ka munguar në një takim me krerët rajonal i cili ka pasur për qëllim përgatitjen e Procesit të Berlinit që do të mbahet në tetor”, ka thënë Ymeri.

“Nuk ka qenë e mençur që të mungojë për atë takim atje i cili vazhdon sot e nesër. Tash po e refuzon Procesin e Berlinit, dhe është shumë keq që të mos dëgjohet Kosova në këtë takim që kanë folur për paketën e financimit, dhe aty zëri i Kosovës nuk u dëgjua fare”, shtoi më tej Ymeri.

I pranishëm në këtë mbledhje ishte edhe komisionari i Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varheyli.

Takimi është menduar të zhvillohet në kuadër të përgatitjeve për samitin e Procesit të Berlinit, që do të mbahet në kryeqytetin e Shqipërisë, më 16 tetor.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, vendi i të cilit sivjet kryeson Procesin e Berlinit, ka paralajmëruar takimin joformal gjatë turneut të tij nëpër shtetet e Ballkanit Perëndimor, pak ditë më parë.

Ky takim është thënë se ka për qëllim diskutimin dhe koordinimin, për të hartuar kërkesa të përbashkëta, për t’i paraqitur në samitin e tetorit, ku pritet të marrin pjesë udhëheqës të vendeve të Bashkimit Evropian.

/Shqip.com