Lajme

Ymeri: Ministria e Arsimit nuk u përgatit me kohë për sigurimin e teksteve shkollore

Përfaqësuesi i SBASHK-ut, Ymer Ymeri

Ymer Ymeri nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, ka deklaruar se aplikimi i prindërve në platformën “e-Kosova” për t’i pajisur fëmijët me tekste shkollore, mund të mos funksionojë.

Ymeri tha se kjo mënyrë e cila u zgjodh nga Ministria e Arsimit ka qenë e gabueshme, dhe se se është faji i tyre që nuk janë përgatitur me kohë për t’ua siguruar fëmijëve librat.

“Presim që një numër i konsiderueshëm i prindërve nuk do të mund të regjistrohen për të aplikuar për subvencionim të librave dhe mendoj se kjo është e gabueshme, më pas nuk do të ketë mundësi as të kontrollojmë se kujt po i jepen mjete për libra, sepse për shkak se të njëjtën mund ta bëjnë edhe disa prindër që jetojnë në Gjermani, por janë të regjistruar në Kosovë, mendoj se ka qenë një gabim dhe një neglizhencë e Ministrisë që nuk janë përgatitur me kohë, por e kanë lënë të vijë gjendja në këtë situatë”, ka thënë ai.

Ymeri theksoi se edhe në të kaluarën platforma “e-Kosova” ka pasur probleme, dhe se sipas tij, ato mund të përsëriten edhe tash.

/Shqip.com