Lajme

Ymeri: Mbrojtja që po i bëhet Berishajt nga Presidenca dhe Qeveria, e papranueshme

Ish-kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri

Ish-kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Visar Ymeri po dyshon që kryeministri Albin Kurti mund të jetë i përfshirë në aferën e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin  Berishaj.

Në një intervistë për EO, Ymeri thotë se ‘mbrojtja që po i bënë presidenca dhe Qeveria Berishajt, del të jetë problematike dhe e papranueshme.

“A ka ndërlidhje në mes të kryeministrit Kurti dhe ambasadorit Martin në këtë aferë ajo mbetet të shihet, po ndërlidhja ekziston, kjo mbrojtja që po i bën Qeveria dhe Presidenca, ambasadorit përkundër këtyre fakteve që po dalin mendoj që është jashtëzakonisht problematike dhe absolutisht e papranueshme, ne nuk mund ta kemi një ambasadorë, i cili dyshohet për afera të tilla, nuk po them që është fajtor atë në fund do ta vendosë gjykata, por vetëm dyshimi e bën atë jo të përshtatshëm për të qenë ambasador përfaqësues i Republikës së Kosovës, po ashtu po del që zoti Berishaj edhe në kohën sa ka qenë ambasador i Republikës së Kosovës është marrë edhe me tërheqjen e parave nga kjo kompani e është marrë edhe me transaksione energjetike, tash si mund ta kemi një ambasador, përfaqësues të Republikës së Kosovës, i cili njëkohësisht edhe tregton me energji, pra bën biznes”, tha Ymeri.

Fakti që Martin Berishaj po hetohet nga tri shtete, Ymeri thotë se nga kjo nuk mund të thuhet se nuk ka asgjë në të.

 “Po tash unë nuk e di, unë besoj që meqë me këtë po merret edhe hetuesia dhe prokuroria në Republikën e Kosovës, siç janë tu u marrë në Malin e Zi, siç janë tu u marrë në Slloveni besoj që kjo do të prodhojë të vërtetën prapa këtij rasti pra kësaj afere e cila po duket që është shumë më e madhe se sa që është menduar fillimisht ose kur ka dalë fillimisht, nuk po flas për raportimet mediatike ato nuk e di as kush janë ato media e çfarë profili kanë po unë po flas për aktakuzat të cilat janë duke u ngritur, domethënë tash kemi raportim që është në proces të hetimit për shmangie nga tatimi në Kosovë është në proces të hetimit në Mal të Zi, sepse një pjesë e kompanisë është e regjistruar në Mal të Zi siç është edhe në proces në të hetimit siç është raportuar në Slloveni, kështu që besoj se kjo aferë nuk mund më të thuhet nuk ka asgjë në të”.

Ymeri, duke i komentuar videot e shpërndara nga VV-ja, ku akuzohen qeveritë e kaluara për keqpërdorime, tha se këto video zakonisht shpërndahen kur kjo parti është në një situatë të vështirë.

Ymeri tha se me këto video VV-ja po mundohet të mbulojë skandalin me një skandal tjetër, e që sipas tij, Qeveria nuk do të duhej që të sillej kështu.

“Tash e ka bërë Vetëvendosja një praktikë jashtëzakonisht mendoj unë të dëmshme të përdorimit të insunuatave shpeshherë të aludimeve të pavërteta, për ta sulmuar opozitën dhe këtë e bën zakonisht kur është në një situatë të vështirë për ndonjë arsye ose tjetër. Tash cili është sikleti aktual i Lëvizjes Vetëvendosje ose i Qeverisë Kurti këtë është vështirë ta themi nga jashtë, me përjashtim të aferës me ambasadorin Martin e cila për çdoherë e më shumë po rritet e po shpaloset dhe në këtë drejtim konsideroj që kjo mund të jetë një lloj reagimi karshi kësaj afere ose njëfarë mënyre për ta mbuluar skandalin me një skandal tjetër, po sidoqoftë nuk mendoj që pushteti duhet të sillet kështu”.

Kujtojmë se kohët e fundit, ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj ka zgjedhur të merret me një padi ndaj një gazetari slloven, por jo edhe me një mori lajmesh për dyshimet për përfshirjen e tij në një aferë financiare me një kompani serbe.

“Për çështjen penale në fjalë është ngritur padia ime private kundër gazetarit slloven, i cili me dt 21.04.2022 shpifi kundër meje, por Gjykata e Qarkut në Lubjanë ende nuk e ka pranuar padinë për shqyrtim për shkak se procedura e ankimimit ende nuk ka përfunduar”, ka shkruar ambasadori, duke ia bashkëngjitur statusit në rrjetin social Facebook edhe dokumentin e gjykatës.

Statusi i tij është shpërndarë nga Lëvizja Vetëvendosje e zëdhënësi i saj Arlind Manxhuka.

Ditë më parë, mediat raportuan për veprimtarinë komerciale të ambasadorit Martin Berishajt me kompaninë serbe GEN.

Me gjithë kërkesat për largimin e tij, Qeveria deri më tani nuk ka bërë asnjë lëvizje e as nuk i ka komentuar këto raportime.

/Shqip.com