Ymeri: Ka shpërputhje mes asaj që Kurti tha në media e në Kuvend
Ish-deputeti i VV-së, Visar Ymeri, ka thënë se Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka prezantuar një fitore në Kuvendin e Kosovës me arritjen e marrëveshjes në Bruksel gjersa në intervista, të njëjtën e prezanton si ‘kompromis’.
Sipas analistit Visar Ymeri, ekziston një shpërputhje në mes asaj çka Kryeministri Kurti kishte deklaruar në foltoren e Kuvendit të Kosovës të enjten, krahasuar me atë ç’ka ai ka deklaruar në intervistën e gazetarit Martens.
I ftuar në “Debat Plus” në RTV Dukagjini, Ymeri ka thënë se Kryeministri Kurti ka prezantuar një fitore në kuvend me arritjen e marrëveshjes në Bruksel, atë që Kurti e quan ‘dakordim’, gjersa në intervistë e prezanton si ‘kompromis’.
“Ne kemi një shpërputhje në mes të asaj çka tha Kryeministri Kurti në Kuvend dhe asaj çka ka deklaruar këtu. Të enjten, ai e deklaroi marrëveshjen si një fitore me që Borrelli hoqi dorë nga qëndrimi i vet dhe me që Serbia pranoi atë që kishte kërkuar të hënën kryeministri. Ndërkohë, gjithashtu po thotë që ambasadori amerikan i ka dhënë disa informata për gjendjen në Veri dhe kjo pastaj, e ka shtyer Kryeministrin të mos e bëjë gjendjen më keq”, ka deklaruar Ymeri.
Sipas tij, kjo nënkupton që Kurti do ishte i gatshëm të pranonte marrëveshjen bazuar në informatat për Veriun e njëherit, kjo ngrit edhe pyetjen se “a lëshuam pe sepse u frikësuam që veriu po bëhet më keq sesa që është apo pranuam marrëveshje sepse kemi fituar atë që donim nga marrëveshja?”.
Nëse informatat barten në baza ditore tek institucionet e Kosovës nga institucionet e SHBA-ve, Ymeri thotë se Kurti do duhej të dinte informacionet nga AKI-ja dhe jo me të pritur informacionet nga ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Hovenier.
Ndonëse intervista nuk ishte publikuar akoma, gazetari Martens ka zbuluar disa pjesë të intervistës, përkatësisht disa nga deklaratat dhe temat kryesore të intervistës.
/Shqip.com