Kulturë Kino

Yllka Gashi, aktorja më e mirë në Festivalin e Filmit në Spanjë

Aktorja, Yllka Gashi

Yllka Gashi është shpallur fituese e çmimit për aktoren më të mirë, në Festivalin e Filmit në Valladolid.

Gashi ka fituar këtë çmim për rolin e saj në filmin “Zgjoi”, film ky i realizuar nën regjinë e Blerta Bashollit.

Lajmi u bë i ditur përmes një postimi në Facebook nga aktorja Adriana Matoshi, e cila ka thënë se Yllka e ka merituar këtë çmim.

“Një çmim i meritum per Yllka Gashi në një festival të madh. Aktorja me e mirë e Festivalit International Seminci Yllka me rolin e saj i tregojë botës historinë e trishtë të zonjës Fahrije Hoti.

Urime Yllka e ky është vetëm një fillim për sukseset e tua në vazhdim”, ka shkruar Matoshi.

Ky film rrëfen historinë e Fahrijes e cila pas luftës ngeli e vetme me dy fëmijët, vajzën 3-vjeçare dhe djalin tre muajsh.

Në përpjekjet për mbijetesë si nënë e vetme në Kosovën e pasluftës, ajo u bashkua me disa gra të tjera të fshatit që kishin mbetur të veja dhe krijuan kooperativën bujqësore “Krusha”, që merren me përpunimin e turshisë dhe ajvarit.

Fahrija nuk heq dorë dhe vazhdon të luftojë jo vetëm për të mbajtur familjen e saj, mirëpo edhe për të luftuar paragjykimet kundër një komuniteti që është armiqësor ndaj saj./SHQIP.com