Sport Shqiptar Fetiu dhe Morina për Shqip.com kanë treguar gjasat e Yllit për një kualifikim tutje

Ylli i gatshëm për Benfican, kualifikimi tutje jo vetëm një ëndërr

Golden Eagle Ylli për herë të parë do të marrë pjesë në Champions League.

Shorti i hedhur të mërkurën e ka vënë skuadrën nga Suhareka përballë skuadrës portugeze, Benficës.

Golden Eagle Ylli është një prej 18 kampionëve aktualë shtetërorë që do të garojnë në kompeticonin më të rëndësishme të basketbollit evropian.

Tabela e Shortit

Drejtori sportiv i Yllit, Egzon Fetiu, për Shqip.com ka thënë se është i kënaqur me shortin.

“Shorti ka qenë ndoshta më i lehti i mundshëm edhe pse te gjitha ekipet janë më lartë të renditura se ne dhe kanë buxhet shumë më të madh. Besojmë në sukses pasi që është një nga grupet më të lehta”, ka thënë ai.

Në sezonin e rregullt Champions League do të zhvillohen 208 ndeshje brenda nëntë muajve, por skuadra kosovare së pari duhet ta kalojë fazën kualifikuese.

Kapiteni i skuadrës, Gëzim Morinës, beson se kualifikimi tutje është i mundur, pavarësisht mungesës së përvojës.

“Ne jemi në proces të ndërtimit të ekipit, besoj që në 2-3 javët e ardhshme do kemi një fotografi më të mirë të asaj se si do duket skuadra jonë në këtë sezon. Shpresoj në paraqitje sa më të mirë dhe të kemi paraqitje dinjitoze, edhe pse jemi të pa eksperience në këtë kompeticion, besoj se do të organizohemi mirë dhe me përkrahjen e qytetin dhe “Xhebrailave”, gjithçka është e mundur.

Gëzim Morina

Tutje, Morina shton se përballja do të jetë e vështirë për shkak të historisë së skuadrës nga Portugalia.

“Jemi tejet krenar që si klub po shkruajmë historinë duke u paraqitur për herë të parë në arenën ndërkombëtare dhe do reprezentojmë qytetin e Suharekës dhe gjithë Kosovën në Champions league. Shorti deshi që kundërshtari ynë të jetë SL Benfica, definitivisht skuadra portugeze me më renome, me mbi 80 trofe vendor. Skuadër që në arenën ndërkombëtare ka marr pjesë në kompeticionet më të forta evropiane duke arritur të shënojë fitore ndaj skuadrave të njohura si, Real Madrid, Panathinaikos, Virtus Bologna, Cska Moscoë, Cibona e shumë skuadra tjera”, tha ai.

Ylli arriti që ta mbrojë titullin kampion këtë vite, pasi në finale kaloi Trepçën, pavarësisht kësaj ka humbur dy lojtarë të rëndësishëm gjatë këtij afati kalimtar.

Trepça arriti që të rrëmbej nga Ylli, Erjon Kastratin dhe Mikaele Tmusicin.

E kjo sipas analistit, Ismet Ferati, do të jetë vendimtare në paraqitjet e Kampionit të Kosovës.

“Handikap tjetër do të jetë dhe largimi i Kastratit dhe Tmusic, dy lojtarët kryesor vendor të ekipit. Mirëpo, Benfika nuk është kundërshtar i pakalueshëm me përforcimet e duhura dhe përgatitje të mirë taktike dhe fizike shanset e Yllit nuk janë të vogla”.

Rundi i parë kualifikues, përkatësisht çerekfinalet, luhen më 21 shtator.

Më 23 shtator janë gjysmëfinalet e kualifikimeve, ndërsa më 25 shtator janë finalet.

Në kualifikime paraqiten 24 ekipe, ndërsa vetëm katër prej tyre kalojnë në stinorin e rregullt.

Kjo nuk është hera e parë që një skuadër nga Kosova merr pjesë në rundin e parë kualifikues të Championsit, pasi Prishtina ka luajtur tri herë në këtë kompeticion./Shqip.com