Sport Shqiptar

Xhiroja e 35-të në Superligë mund të jetë vendimtare për titull dhe mbijetesë

Pamje nga takimi Ferizaj - Ballkani

Fundjava sjellë në program xhiron e 35-të, njëherësh të parafundit të këtij edicionit të Superligës në futboll.

Do të jetë një xhiro që mund të definoj kampionin, ekipin që bie nga liga dhe që shkon në barazh.

Vëmendja do të jetë tek ekipet si Ballkani, Drita, Ferizaj e Trepça’89. Dy të parat po luftojnë për titull, derisa dy tjerat për t’i ikur rënies.

Më të rrezikuarat për të mos i arritur qëllimet janë Drita e Trepça’89.

Po ndalemi tek Ballkani, që ka në dorë të tyre titullin kampion. Suharekasve iu nevojitet patjetër fitorja ndaj Ferizajt këtë javë dhe mos arritja e tre pikëve të Dritës, do i shpallte kampion ata.

Kampionët në fuqi janë në pozitën e parë në tabelë, me 69 pikë, dy më shumë se Drita që është e dyta.

Por, suharekasit nuk do ta kenë aspak të lehtë, pasi që përballë do ta kenë Ferizajn, që po lufton për objektivin e vet. Ferizajasit me një fitore eventuale mund ta sigurojnë barazhin, por edhe në jenë në garë për t’i ikur këtij pozicioni.

Drita duhet t’i fitojë dy ndeshjet e fundit dhe të lutet për një gabim të Ballkanit. Të kaltrit nga Gjilani, këtë javë e presin Malishevën, një tjetër ekip që dëshiron t’i shmanget humbjes dhe të jetë më e qetë në xhiron e fundit.

Malishevasit për momentin janë të shtatit, me 40 pikë, dy më shumë se Ferizaj, e tri më shumë se 89-shi.

E sa jemi tek mitrovicasit, ata i pret një takim tejet i vështirë në udhëtim te Dukagjini, të cilët me një fitore do të mbeten në vendin e katërt, që mund të hyjë në punë për Evropë.

Llapi-Gjilani, një tjetër përballje e kësaj xhiroje. Të kuqve nga Gjilani iu nevojitet vetëm një pikë për të siguruar edhe matematikisht vendin e tretë që të qon në Evropë, ndonëse e kanë mundësin edhe përmes Kupës, ku janë në finale.

Në anën tjetër, llapjanët janë jashtë synimeve, nuk dinë për fitore tash e gjashtë javë dhe e shohin veten të gjashtit, derisa i nevojitet edhe një pikë për ta siguruar matematikisht ekzistencën.

Sfida e fundit është mes Prishtinës e Drenicës, ku prishtinasit janë favorit në letër për tre pikë.

Kryeqytetasit janë në garë me Dukagjinin për vendin e katërt, dallimi mes tyre është dy pikë, derisa Drenica nga sezoni i ardhshëm do bëjë gara në një ligë më poshtë, i ndodh për herë të parë në histori të klubit. Të gjitha ndeshjet e xhiros së 35-të do të luhen nga ora 15:00.

/Shqip.com