Lajme

Xhemile Dehari: Kur dëgjova se humbën mostrat, për mua ka qenë vdekja e dytë e Astritit

Xhemile Dehari - nëna e aktivistit të vdekur të VV-së, Astrit Dehari

Nëna e të ndjerit Astrit Dehari, Xhemilja ka folur për humbjen e mostrave të gjakut nga laboratorët e Institutit të Mjekësisë Ligjore.

Ajo ka thënë se gjaku i Astritit ka qenë i përdorshëm pasi është marrë nga institute zviceran, por sipas saj ka qenë tronditëse humbja e gjakut nga IML.

“Këtë vit u dha lajmi se paskan humbur mostrat e gjakut. Unë them është vjedhur gjaku. Për mua personalisht kjo ka qenë vdekja e dytë për Astritin. Unë nuk e di si mund të konsiderohet ndryshe pos vdekje kur dikujt i vidhet gjaku”, tha ajo.

Xhemile Dehari thotë se detajet e humbjes së këtij gjaku kurrë nuk i ka mësuar, por ajo thotë se ka disa pikëpyetje.

“A thua është kontrolluar ai gjak që nga dërgimi në Zvicër? A është kthyer ai nga Zvicra? U tha se në laborator kanë qenë tre veta që kanë emër e mbiemër. Prokurori thonë se i ka marrë në pyetje, por ne nuk kemi info pasi nuk jemi takuar pothuajse kurrë me prokurorin”, shprehet Xhemile Dehari.

Nëna e Astrit Deharit thotë se ka pritur dorëheqje morale edhe nga punëtorët tjerë të IML pas humbjes së mostrave.

“Edhe pas atyre që kanë ndodhur, ato punëtore kanë guxim të shkojnë e të punojnë në ato laboratore”, deklaroi tutje Xhemile Dehari në RTV Dukagjini.

/Shqip.com