Sport Ndërkombëtar

Xhaka i lumtur për transferimin te Bayer Leverkusen

Granit Xhaka edhe zyrtarisht është futbollist i Bayer Leverkusenit. Skuadra gjermane, të enjten e ka bërë zyrtar transferimin e mesfushorit shqiptar me nënshtetësi zvicerane.

Bëhet e ditur se ai ka nënshkruar kontratë deri në vitin 2028, ndërsa “Farmaceutikët”, Arsenalit i kanë paguar 25 milionë euro.

Vetë futbollisti është shprehur i lumtur për hapin e radhës në karrierë.

“E njoh ligën dhe e kam përcjellë edhe sa isha në Londër. Bayer 04 është klub me histori impresive dhe me ambicie të mëdha”, ka thënë Xhaka. “Mbi të gjithë, e shoh si klub me të ardhme të ndritur. Diskutimet me menaxhmentin ishin jashtëzakonisht motivuese. Të gjithë këtu janë ambiciozë dhe duan të arrijnë diçka. Po shikoj me optimizëm për vitet që na presin së bashku”, ka thënë Xhaka.

Edhe zyrtarët e Leverkusenit kanë pritje të mëdha.  “Me Granitin, pa asnjë dyshim, ne kemi angazhuar një top-lojtar”, ka thënë Simon Rolfes, drejtor sportiv i Leverkusenit.

Xhaka është kapiten i Zvicrës dhe lider i saj. Është edhe prej lojtarëve më të mirë dhe më të suksesshëm shqiptarë.

/Shqip.com