Xhaferi: Sot përmbushet ëndrra për Kryeministër të parë shqiptar
Kryeministri i parë shqiptar i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi tha se sot u përmbush ëndrra.
Xhaferi do ta drejtojë qeverinë teknike në Shkup deri në votimin e qeverisë së radhës që do të dalë nga zgjedhjet parlamentare të 8 majit. Ai shkroi në Facebook se premton edhe përmbushjen e ëndrrës për përparimin e Maqedonisë së Veriut.
“Sot përmbushet ëndrra për Kryeministër të parë shqiptar! Sot premtoj se do e përmbushim ëndrrën edhe për Republikën e Maqedonisë së Veriut të përparuar, të zhvilluar, demokratike dhe evropiane! Shtet ku të rinjtë do të duan të kthehen, ku gjenerata ime do i shohë nipërit si rriten, ndërsa më të moshuarit do të krenohen që investimi në shtetësinë ka dhënë rezultat!”, shkroi Xhaferi.
“Urime Qeveria!”, shtoi ai.
Xhaferi u zgjodh kryeministër i Maqedonisë së Veriut me 65 vota për dhe tri kundër.
Në Kuvend, Xhaferi tha se do të sillet me përgjegjësi dhe se do të jetë transparent e llogaridhënës para qytetarëve.
Xhaferi tha se “nuk do të lejoj të devijojmë”, nga rruga dhe nga prioritetet e dakorduara me partnerët e koalicionit, ndërsa përmendi rrugën për integrimin në Bashkimin Europian.
Siç tha edhe vetë ai, prioriteti kryesor i qeverisë teknike do të jetë “përgatitja e organizimit të zgjedhjeve të lira dhe demokratike”.
Xhaferi tha ndër tjerash se do të vazhdojnë “zbatimin e parimeve të marrëveshjeve për marrëdhëniet ndëretnike”, ndërsa foli më tej për prioritetet strategjike shtetërore.
“Sundimi i së drejtës, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, mbeten politika qendrore dhe strategjike të qeverisë”, tha ai.
“Do të zbatojmë proceset e nisura për rrumbullakësimin e legjislacionit vendor në lidhje me proceset institucionale të partnerit tonë strategjik – Shteteve të Bashkuara të Amerikës për përcaktimin dhe sanksionimin e personave të lidhur me krimin dhe korrupsionin”, tha Xhaferi.
/Shqip.com