Lajme

Xhafer Gashi synon edhe një mandat për të parin e Obiliqit

Xhafer Gashi, kryetar i Obiliqit.

Xhafer Gashi sërish do të jetë kandidat për kryetar të Komunës së Obiliqit në zgjedhjet lokale të cilat pritet të mbahen më 17 tetor.

Ai ka deklaruar se do të jetë përfaqësues i Iniciativës Qytetare për Obiliqin, duke shtuar se pret që do t’i jepet mundësia edhe njëherë nga qytetarët për ta drejtuar këtë qytet.

“Sot në ora 20:00 do ta kemi mbledhjen e këshillit të Iniciativës Qytetare për Obiliqin, ku do ta paraqes kandidaturën time. Se a do të fitojmë varet nga qytetarët ne do të jemi të gatshëm që të vazhdojmë para edhe për një mandat.

Ka nevojë për shumë angazhime që duhet të kryhen në Komunën tonë. Bashkë me 800 aktivistë deri tani jemi gatshëm të sfidohemi sërish”.

Ai në Info Magazinë të Klan Kosovës theksoi se disa sondazhe të kryera në komunën që drejton e kanë nxjerrë sërish fitues, për të udhëhequr edhe për katër vitet e ardhshme Obiliqin.

“Sipas disa sondazheve të realizuara në Komunën tonë ne do ta kemi besimin e qytetarëve që t’i udhëheqim edhe për një mandat. Kjo na bënë të ndjehemi mirë sepse e vlerësojnë punën që e kemi bërë për tetë vite”, është shprehur Gashi.

Kryetari aktual i Obiliqit, Xhafer Gashi, në mars të këtij viti ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga kryetari i degës së AAK-së në Obiliq dhe nga të gjitha funksionet dhe përgjegjësitë e tij brenda strukturës partiake si në nivelin lokal ashtu edhe atë qendror./SHQIP.com