Lajme

Xhafa: Tërmetet mund të rrezikojnë furnizimin me ujë të pijshëm

Sokol Xhafa.

Ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, Sokol Xhafa, thotë se kriza me ujë të pijshëm mund të vijë nga tërmetet, por që janë raste të jashtëzakonshme, përcjell Shqip.com.

Derisa foli për furnizim me ujë të pijshëm, Xhafa tha se shpreson që nuk do të ketë reduktime, duke theksuar se problematikë mbetet infrastruktura e mangët.

“Sa i përket ujit të pijshëm nivelet janë relativisht mirë. Po flasim për një menaxhim të mirë të niveleve të ujit. Kishim nivele shumë të mira në janar të këtij viti. Mirëpo kishim një verë të gjatë ku konsumi ishte jashtëzakonisht i lartë i konsumatorëve. Kjo ka bërë që nivelet të ulen relativisht shumë. Sa i përket vitit 2022 unë besoj që nuk do të ketë probleme me furnizim me ujë sepse jemi në një periudhë ku do të kemi reshje nga janari deri në pranverë”.

“Sa i përket furnizimit me ujë qytetarët nuk do të kenë problem me ujë, por problematikë vazhdon të jetë infrastruktura e mangët. Kjo bënë që herë pas here gjatë stinës së verës të ketë reduktime në zonat e larta. Nuk mund të ketë krizë me ujë sepse furnizimi do të vazhdojë të jetë i qëndrueshëm për të gjithë konsumatorët. Mund të ketë edhe ndikime tjera sepse mund të vijnë tërmetet, por janë raste të jashtëzakonshme”, tha Xhafa për EO.

Sipas tij, borxhet e konsumatorëve kanë arritur në mbi 45 milionë euro që nga pas lufta, duke treguar se për shkak të borxheve kanë dërguar te përmbaruesi çdo dy muaj 600 lëndë.

“Borxhet janë mbi 45 milion euro në këto 20 vjet të pasluftës dhe borxhet që po flasim për vitin 2021 nuk është se janë të vogla. Por borxhi i vjetër vazhdon të jetë i lartë dhe vazhdon të rritet në 100%. Është fat i keq që një pjesë e vogël e konsumatorëve paguan rregullisht ndërsa pjesë të tjera paguajnë shumë më pak.

Problematikë vazhdon të ketë aspekti i rasteve sociale që nuk po trajtohen ligjërisht dhe nuk është se kemi pagesa njëlloj siç ndodh me pagesat e energjisë elektrike që subvencion ministria e mirëqenies sociale. Urojmë të ndryshojë ligji dhe të përfitojmë nga kjo pjesë të marrin pagesa”, shtoi ai./SHQIP.com