Lajme

Xhaçka reagon me rastin e shënimit të 24-vjetorit të masakrës në Reçak

Ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka

Ministrja e Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, Olta Xhaçka ka reaguar lidhur me shënimin e 24-vjetorit të masakrës së Reçakut.

Përmes një postimi në Facebook, Xhaçka ka thënë se ende kërkohet drejtësi për të masakrurarit në Reçak.

“Përkujtojmë sot me nderim 45 burrat, gratë dhe fëmijët e pafajshëm që u masakruan në Raçak nga regjimi serb, në një akt të vrasjes së qëllimshme dhe pa dallim. Sot kujtimi i tyre dhe kujtimi i mijëra burrave, grave dhe fëmijëve të vrarë në krime të tjera të panumërta të luftës të kryera nga regjimi serb në Kosovë, Kosova kërkon ende drejtësi dhe pajtim”, shkroi Xhaçka.

Tutje, Xhaçka tha se kjo tragjedi është kujtesë e fuqishme se sa shumë duhet të punojë rajoni për një të ardhme paqësore që refuzonë filozofi gjenocidale.

“Por, gjithashtu shërben si një kujtesë e fuqishme se sa shumë i gjithë rajoni ynë duhet të punojë së bashku për të ndërtuar një të ardhme të paqtë dhe me prosperitet, e qeverisur me një filozofi që refuzon mentalitetin e genocidit i cili ishte përgjegjës për masakrën në Raçak”.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se mos të ishte ambasadori William Walker që e cilësoi si krim kundër njerëzimit, masakrën në Reçak, të masakruarit do të vriteshin për së dyti nga propaganda e Serbisë.

Osmani: Të masakruarit në Reçak do të vriteshin për së dyti nga propaganda serbe – SHQIP.com

Në fjalimin e saj pas homazheve në Kompleksin Memorial në Reçak, Osmani tha se Kodra e Bebushit, u shndërrua në vendin në të cilin krimet kundër njerëzimit nuk mund të fshiheshin më.

“Kodra e Bebushit, u shndërrua në vendin në të cilin krimet kundër njerëzimit nuk mund të fshiheshin më nga makineria Millosheviqiane. Të masakruarit, do të vriteshin për së dyti nga propaganda e makinerisë dhe gënjeshtrës informative që asokohe e udhëhiqte presidenti Aleksandër Vuqiq. Sikur, ambasadori Walker i cili doli në vendngjarje, të mos kishte lëshuar kushtrimin gjithandej botës, pa asnjë hezitim të vetëm duke e cilësuar me të drejtë këtë ngjarje si krimi kundër njerëzimit”, tha Osmani.

Me masakrën e Reçakut, sipas Osmanit vetëdija ndërkombëtare u zgjua përfundimisht për atë se çfarë po ndodhte në Kosovë.

Kurse, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se ata që mohojnë gjenocidin, ëndërrojnë për përsëritjen e tij.

Kurti: Ata që mohojnë gjenocidin, ëndërrojnë përsëritjen e tij – SHQIP.com

Në fjalimin e tij pas homazheve në Reçak, Kurti tha se tashmë është lëshuar fletarrest për 18 serbë të cilët dyshohen për pjesëmarrje në masakrën e Reçakut.

“Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, atë kohë ishte ministër informativ gjë të cilën tha se masakra e Reçakut ishte fabrikim. Ata të cilët e mohojnë gjenocidin, ata ëndërrojnë për përsëritjen e tij. Por, një krim kundër njerëzimit, e një gjenocid si ai që kryen forcat e Serbisë në Reçak me 15 janar, nuk mund të fshihet, nuk mund të mjegullohet dhe nuk mund të amnistohet. Duke u thirrur në dëshmitë e kohës në deklaratat e 63 dëshmitarëve të intervistuar dhe në provat e tribunalit të Hagës, Prokuroria Speciale e Kosovës ka lëshuar fletarreste ndërkombëtare për 18 persona serbë që dyshohet për pjesëmarrje në kryerjen e masakrës së Reçakut”, tha Kurti.

Kurti tha se Kosova nuk amniston kriminelët dhe nuk i harron krimet e luftës.

/Shqip.com