Sport Ndërkombëtar

Wilder provokon ukrainasin Usyk

Boksieri amerikan Deontay Wilder (43 fitore, 2 humbje e 1 barazim në karrierë) ka thumbuar kampionin e botës në peshën e rëndë, ukrainasin Oleksandr Usyk (20 fitore e 0 humbje).

Sipas Wilder, kampioni i botës ka frikë të duelojë me të dhe t’i japë mundësinë për ta sfiduar për titujt kampionë.

“Bronze Bomber” shpreson të ketë sërish shansin që të duelojë për titullin kampion, ndaj dhe sfidon Usyk. “Do të shohim se çfarë do të ndodhë. Shpresoj që Usyk ta mbajë fjalën dhe të përballet me mua, siç më ka premtuar”, tha Wilder për mediat.

Më tej, amerikani shtoi: “Ne do të bisedojmë me ekipin e tij dhe kushdo që do të jetë drejtuesi i tij dhe do të shohim se çfarë po ndodh. Shpresoj të jetë një njeri i fjalës. Unë jam gati, por mendoj se ai ka pak frikë të përballet me mua”.

“Madje jo vetëm që ka frikë, por ka shumë frikë. E dini përse? Unë jam ende në biznes pavarësisht se humba titujt, di shumë gjëra dhe kam një karrierë që Usyk dhe të tjerët e kanë zili”, u shpreh Deontay Wilder.

/Shqip.com