Lajme

Westerlund: E rëndësishme është pjesëmarrja në zgjedhje, konkluzionet të hënën

Ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund
Ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund

Ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, ka thënë se të hënën do të ketë konkludim për zgjedhjet.

Westerlund ka theksuar se do të donte që situata në veri të Kosovës të ishte më ndryshe.

“Kjo është hera e parë që Lista Serbe i bojkoton zgjedhjet. Lista Serbe ka marrë pjesë tetë herë në zgjedhje, por për fat të keq nuk po merr pjesë kësaj radhe. Mirëpo, sipas Kushtetutës së Kosovës, zgjedhjet duhet të mbahen dhe ky është vendimi i presidentes”, tha Westerlund, shkruan Kosovo Online.

Teksa pyetet se dalja në numër të vogël a do të ketë ndikim, ka thënë se ende është herët për të folur për këtë dhe se “konkluzionet do të bëhen të hënën”.

“Konkluzionet do të bëhen nesër. Por, tani mendoj se është e rëndësishme të ketë pjesëmarrje në zgjedhje. Natyrisht ne e kuptojmë se është e rëndësishme që të dyja palët të zbatojnë atë që është rënë në dakord në shkurt dhe mars në Marrëveshjen e Ohrit. Pjesa e kësaj është edhe obligimi i Prishtinës për ta formuar AKS-në. Edhe kjo është e rëndësishme, por e rëndësishme është edhe pjesëmarrja në zgjedhje”, tha ambasadori suedez nga Leposaviqi.

Ai ka vizituar komunat veriore të Kosovës.

Ndryshe, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bëri të ditur se deri në orën 15:00 kanë votuar mbi 1.000 qytetarë në katër komunat në veri të Kosovës.

Sipas të dhënave, dalja e përgjithshme në zgjedhje është 2.4 për qind apo 1.092 nga 45.095 qytetarë me të drejtë vote.

KQZ-ja nuk raportoi për ndonjë pengesë në procesin zgjedhor.

Kjo është dalja në zgjedhje sipas komunave: Leposaviq: 110 votues apo 0.33 për qind, Zubin Potok: 240 votues apo 3.6 për qind, Zveçan :145 votues apo 2.07 për qind, Mitrovicë e Veriut: 597 votues apo 3.3 për qind.

/Shqip.com