Lajme

Walker: Vuçiq të mos përdorë raportet me Rusinë për t’i çuar gjërat prapa

Ish-ambasadori i OSBE-së në Kosovë, William Walker
Ish-ambasadori i OSBE-së në Kosovë, William Walker

Ambasadori amerikan William Walker thotë se presidenti serb Aleksandar Vuçiq duhet të mos i përdorë marrëdhëniet me Rusinë për t’i çuar gjërat prapa në raport me Kosovën, pasi ka rritur provokimet në veri të vendit, duke vendosur edhe barrikada në dhjetor të vitit që lamë pas.

Walker thotë se Vuçiq jeton sikur të ishte në periudhën para 1999-ës.

Ai thekson se roli i tij duhet të jetë demokratik, dhe jo ai që ka qenë si anëtar i qeverisë së kasapit të Ballkanit, Slobodan Millosheviq.

“Unë nuk jam një admirues i presidentit Vuçiq, as ai nuk është një admirues i imi, dëgjoj se ai vazhdon të flasë për ambasadorin Walker të vitit 1999, dhe ‘gënjeshtrat’. Ajo që ndodhi në ’99 është histori, sot kemi të bëjmë me botën reale, Kosova është një vend i vërtetë, ka një popullsi, ka shumë jo vetëm disa, por të gjitha gjërat që duhet të ketë një vend demokratik, për z. Vuçiq të përpiqet të negociojë, dhe të kthehet në vitet para 1999, padyshim që nuk pajtohem me këtë. Vuçiq gjatë luftës këtu ka qenë anëtar i qeverisë në Beograd, i qeverisë së Sllobodan Millosheviqit.

Pra, ju e dini, ai dhe unë nuk mendojmë njësoj, por do të shpresoja që ai të pranojë të kuptojë realitetin e situatës aktuale dhe të mos përdorë marrëdhëniet e Serbisë me Rusinë apo me dikë tjetër për t’i çuar gjërat prapa”, ka thënë Walker, në intervistë për KosovaPress.

Serbia është i vetmi vend në Ballkan që nuk ka dënuar luftën pushtuese të Rusisë në Ukrainë, dhe as nuk i ka vendosur sanksione asaj, duke tentuar të ulet “në dy karrige”.

Sipas ambasadorit Walker, faktori ndërkombëtar do të duhej të dënonte një qasje të tillë të Serbisë.

/Shqip.com