Lajme

Walker i gatshëm të dëshmoj në Hagë për ish-krerët e UÇK-së

Ish-ambasadori i OSBE-së në Kosovë, William Walker
Ish-ambasadori i OSBE-së në Kosovë, William Walker

Ish-shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së gjatë luftës në Kosovë, William Walker, gjate një interviste dhënë për tëvë1 është shprehur i gatshëm që të dëshmoj në Hage për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtarë te Kosovës. Ai ndër të tjera thotë se në këtë proces gjyqësor është duke u akuzuar pala e gabuar.

Bernard Kouchner, William Walker, Wesley Clark, James Rubin, këta janë disa nga profilet e larta për të cilët avokati i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, Gregory Kehoe, ka paralajmëruar se do t’i ftojë si dëshmitarë në Hagë.

E njëri nga ta veçse është shprehur i gatshëm ta bëjë një gjë të tillë. Bëhet fjalë për ish-shefin e Misionit Verifikues të OSBE-së gjatë luftës në Kosovë, William Walker.

Ambasadori amerikan, është shprehur se vetëm duhet t’ia tregojnë datën se kur mund të paraqitet për të dëshmuar për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës.

“Do të isha shumë i lumtur që të dëshmoja në emër të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, nëse më kërkohet një gjë e tillë. Unë jam i gatshëm të paraqitem kurdo që më thërrasin avokatët ose gjykata, ata krejt çka duhet të bëjnë është të ma tregojnë datën”, tha Walker për Tëvë1.

Tutje, Walker është shprehur shumë kritik ndaj Gjykatës Speciale. Sipas tij, mënyra se si Gjykata është duke e paraqitur Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës është qesharake.

/Shqip.com