Lajme

VV përmbylli fushatën në kryeqytet, Vitia: Prishtina  është e gatshme të ndryshojë shumëçka

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prishtinës, Arben Vitia

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prishtinës, Arben Vitia, ka thënë se Prishtina është e gatshme të ndryshojë shumëçka.

Këto komente, Vitia i bëri në përmbyllje të fushatës të VV-së në Prishtinë.

 “Gjatë këtyre ditëve nuk lamë rrugë pa ecur me këmbët tona, nuk lamë derë pa trokitur në çdo fshat dhe lagje të qytetit”.

“Paraqitëm planin tonë për kryeqytetin, vizionin tonë për Prishtinën dhe kudo hasëm në gatishmëri për ndryshim dhe mikpritje të jashtëzakonshme. Faleminderit të gjithëve që morën pjesë në këto zgjedhje, mijëra qytetarë dolën për t’i shërbyer komunës tonë dhe ishte nder shumë i madh të isha në mesin e tyre”.

Kandidati i VV-së për Prishtinën po ashtu ka thënë se zhvillimi i Prishtinës duhet të marrë vrull, por assesi s’duhet të humbasë mikpritja dhe shpirti kreativ i prishtinasve.

Arben Vitia dhe Përparim Rama.

“Nuk na duhet ndryshimi vetëm në ndërtesat e shumta, por edhe më shumë në hapësirat mes këtyre ndërtesave, aty ku në fakt është edhe qyteti. Prishtina është e gatshme të ndryshojë shumëçka, por ajo që do të mbetet e pandryshuar përherë do të jetë mikpritja për të cilën njihet botërisht”.

“Ajo që do të mbetet e pandryshuar është shpirti kreativ i qytetarëve të Prishtinës dhe do të mbetet i pandryshuar guximi që çdo herë e ka”.

“Sot jemi këtu të gjithë për Prishtinën që e duam, për këtë qytet kaq të dashur për secilin prej nesh. Ne të gjithë krenohemi me Prishtinën, me lagjet dhe rrugët e saj, kafiteritë ikonike, monumentet dhe historinë e Prishtinës”.

“Të gjithë e dimë se mundemi edhe më shumë. Ky qytet, qyteti jonë, do të zë hapin e zhvillimit, mirëqenies dhe hapin që e kthen në qytet të jetueshëm. Qytet që na bën krenar e të cilit i shërbejmë dhe na shërben, sepse kështu janë qytetet. Kështu është edhe Prishtina”. /Shqip.com