Lajme

VV në Prizren do të ankohet për rezultatin e zgjedhjeve lokale

Kandidati i VV-së për kryetar të Prizrenit, Mytaher Haskuka

Lëvizja Vetëvendosje në Prizren ka njoftuar se shtabi i saj zgjedhor është në përpilim të ankesave për rezultatin e zgjedhjeve lokale.

Sipas tyre, në ditën kur janë mbajtur zgjedhjet në këtë komunë ka pasur presione ndaj votuesve në hyrjet e vendvotimeve, tendencë për ndryshimin e vullnetit qytetar në javën e fushatës përmes shpërndarjes së parave dhe të mirave materiale, por edhe kërcënime ndaj komuniteteve.

“Vonesa e raportimit të rezultateve nga disa vendvotime, ku pjesëmarrja deri në orët e vona ka qenë shumë e ultë dhe pastaj kemi pasur një rritje të madhe të numrit të votuesve si dhe dëshmitë për nënshkrimet e votuesve të cilët nuk kanë qenë në Kosovë në ditën e votimit jep indikacione që është devijuar vullneti qytetar”, thuhet në reagimin e VV-së në Prizren.

Ndaj, kanë kërkuar nga organet kompetente të hetuesisë që të gjitha këto raste të hetohen dhe që të verifikohen nënshkrimet në librin e votuesve.

“Përfundimisht raportimet e qytetarëve për ditën e zgjedhjeve dhe për procesin zgjedhor, lënë hapësirë për shumë dyshime që duhet të hetohen nga organet kompetente”.

“Për hir të demokracisë dhe mbrojtjes së vullnetit qytetar, të gjitha rastet e përmendura duhet të hetohen, ashtu që mos të vihen në pikëpyetje themelet e demokracisë në Republikën e Kosovës”.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve këtë të shtunë ka shpallur rezultatet përfundimtare të raundit të dytë zgjedhjeve të mbajtura më 14 nëntor për kryetarë të komunave.

Në garën e balotazhin për kryetar të komunës së Prizrenit ishin Mytaher Haskuka nga Lëvizja Vetëvendose dhe Shaqir Totaj nga Partia Demokratike e Kosovës.

Pas numërimit të të gjitha votave të rregullta, Shaqir Totaj nga PDK ka marrë 27 mijë e 17 vota apo 51,01 për qind, ndërsa Mytaher Haskuka nga LVV ka marrë 25 mijë e 942 vota apo 48,99 për qind./SHQIP.com