Lajme

VV-ja prezanton rezolutë për adresimin e rritjes së çmimeve

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila në seancën e sotme të Kuvendit ka prezantuar rezolutën për adresimin e rritjes së çmimeve.

Ajo tha se qytetarët duhet të mbrohen nga ndikimi i inflacionit dhe kriza ekonomike.

Kusari-Lila tha se përmes rezolutës dhe hartimit të ligjit për mbrojtjen e furnizimit të produkteve themelore, s’do të ketë fitime të mëdha për një grup të vogël të bizneseve.

“Ofron mundësinë e vendosjes së rrjetës mbrojtëse në situatat kur hapësira për të abuzuar me pozitat dominuese ndjeshëm rritët, bashkë me probalitetin e ndikimit negativ te një numër i madh i qytetarëve, të cilët shkallën e lëndueshmërisë e kanë më të lartë. Ajo çfarë ne po propozojmë është dhënia e mundësisë së vlerësimit real të shpenzimeve dhe çmimeve të produkteve të importuara dhe atyre të prodhuara në vend”, tha ajo.

Ajo tha se nuk duhet të krijohet hapësira për pozita abuzuese që sjellin fitime për grupe biznesesh.

“Duke i njohur prodhuesve dhe importuesve shpenzime dhe fitimin, por duke siguruar se në asnjë mënyrë nuk do të krijohen hapësira për një pozitë dominuese apo abuzuese, që sjellin fitime të mëdha për një grup të vogël të bizneseve. Në situatën e krizës së inflacionit, e cila nuk ka kursyer as ekonomitë të mëdha, dizajnimi i pakos për mbrojtjen e qytetarëve nga ndikimi i lartë do të varet nga specifikat e ekonomisë së vendit”.

Ajo tha se ulja e TVSH-së në disa sektorë nuk përcillet me uljen e çmimeve te konsumatorët, por vetëm fitim më të madh të bizneseve.

“Me praktikën e mëhershme se ulja e TVSH-së në një sektor nuk përcillet me uljen e çmimit për konsumatorët, por rritjen e fitimit për bizneset, është i domosdoshëm mekanizmi i cili parandalon abuzimin me faktorët e lartpërmendur.

Tutje, ajo tha se ekonomia e Kosovës nuk ka arritur të forcojë bazën e prodhimit vendor dhe për shkak të importit të madh, qytetarët po përballen me inflacion të lartë./Shqip.com