Lajme

Vushtrriasi ngjyrosi trotuarin me ngjyrat e flamurit të Luksemburgut, policia e detyron t’i fshijë

Një qytetar nga Komuna e Vushtrrisë, ka vendosur që të ngjyrosë trotuarin me ngjyrat e flamurit të shtetit të Luksemburgut. Mirëpo më këtë nuk është pajtuar Policia e Kosovës e cila ka detyruar qytetarin që të fshijë këtë.

Lajmi është bërë i ditur përmes një njoftimi nga Komuna e Vushtrrisë.

“Pas marrjes së informatës, e cila ka qarkulluar gjatë ditës në portale të ndryshme të vendit, në lidhje me ngjyrosjen e disa trotuareve në Vushtrri, zyrtarët kompetentë të Komunës së Vushtrrisë së bashku me zyrtarët policorë nga Stacioni Policor në Vushtrri kanë dalë në vendin e ngjarjes për të parë nga afër këtë veprim të paautorizuar, të kryer nga një qytetarë i Vushtrrisë”, thuhet në njoftimin e Komunës.

Trotuari i ngjyrosur

Po ashtu është bërë e ditur se sot, në rrugën “Lidhja e Lezhës” në Vushtrri, një qytetar me inicialet F.D. (1934), në mënyrë të paautorizuar ka bërë ngjyrosjen e trotuareve me ngjyrat: e kuqe, e bardhë dhe e kaltër, para shtëpisë së tij.

“Sipas deklaratës së personit që ka kryer këtë veprim, ai e ke bërë këtë veprim në shenjë nderimi të disa miqve të tij nga Luksemburgu, dhe qëllimi i tij ka qenë që t’i nderojë miqtë nga Luksemburgu me këtë veprim”, thuhet në njoftimin e Komunës.

Nga ana e institucioneve shtetërore, palës i është dhënë afat prej 24 orësh që ngjyrat t’i ndërrojë, ndërkaq procedura ligjore ndaj tij do të iniciohet sipas ligjit, thuhet më tutje në njoftim./Shqip.com