Lajme

Vulin: Greqia më konfirmoi se nuk do ta njohë Kosovën

Ministri i Punëve të Brendshme në Serbi, Aleksandër Vulin.

“Greqia nuk do ta ndryshojë pozicionin e saj mosnjohes ndaj Kosovës”.

Kështu ka thënë ministri i Brendshëm i Serbisë, Aleksandër Vulin, pas takimit që kishte me kryeministrin grek, Kyriakos Mitsotakis.

“Unë jam veçanërisht mirënjohës ndaj kryeministrit Mitsotakis që më rikonfirmoi se qëndrimi i tij dhe i qeverisë greke për mosnjohjen e Kosovës nuk do të ndryshojë”, ka thënë Vulin, raporton Tanjug, transmeton Shqip.com.

Ai qëndrimin e Greqisë e cilësoi si pozicion në “të drejtën ndërkombëtare”, pasi Beogradi thirret në “mbrojtjen e sovranitetit territorial”, mbi këtë premisë Serbia vazhdon ta mbajë Kosovën në Kushtetutë.

Përkundër se 22 vende të Bashkimit Evropian e kanë njohur Kosovën, Greqia dhe katër shtete të tjera të Unionit vazhdojnë të mohojnë pavarësinë e Kosovës.

Athina zyrtare vazhdimisht ka thënë se “ka qasje konstruktive ndaj Kosovës”.

Kështu i thanë edhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili gjatë muajit korrik qëndroi për tetë ditë në shtetin helen.

Aty, Kurti ishte takuar me përfaqësuesit institucionalë, por edhe me ata opozitar.

Në Prishtinë, Greqia e ka një zyre ndërlidhëse si dhe figurat greke vizitojnë zyrtarisht Kosovën.

Po ashtu, Kosova dhe Greqia kanë edhe bashkëpunim tregtar.

Sipas, Agjencisë së Statistikave të Kosovës, gjatë vitit 2020, 4.2 për qind e produkteve që importohen në Kosovë janë nga Greqia – ndërsa 0.9 për qind e eksporteve të kompanive kosovare shkojnë në Greqi.

Bashkëpunimi ekonomik është parë si një përpjekje për përmirësim të mëtutjeshëm raportesh – deri te njohja përfundimtare.

Por, Greqia aktin final se ka bërë ende. Sinjalet kanë qenë, gjë kanë shkaktuar edhe shqetësime në Beograd.

Të martën, Vulin deklaroi se njihet mirënjohës ndaj Greqisë që “nuk do ta ndryshojë qëndrimin për Kosovën”. /Shqip.com