Lajme

Vuk Jeremiqit i ndalohet hyrja në Kosovë

Në Graçanicë është duke u mbajtur Kuvendi i Komitetit Krahinor të Partisë Popullore të Serbisë. Ftesë për pjesëmarrje kishte edhe kryetari i partisë, Vuk Jeremiq.

Në një komunikatë të lëshuar nga partia, bëhet e ditur se ai është ndalur për më shumë se dy orë në kufi dhe i është shqiptuar ndalimi i hyrjes.

“Partia Popullore është një nga organizatat e pakta politike në Serbi që guxoi të formonte një Komitet Krahinor real dhe funksional në Kosovë. Politika jonë është e qartë: Kosova është pjesë e patjetërsueshme e Serbisë. Kthimi i administratës provinciale në rendin kushtetues dhe juridik të Serbisë duhet të jetë synimi afatgjatë i çdo qeverie të përgjegjshme, sado e vështirë të duket në dritën e rrethanave aktuale.

Duhet pasur parasysh se edhe rrethanat historike në të cilat u gjend populli serb ishin dukshëm më të vështira, si dhe se marrëdhëniet në botë janë subjekt i ndryshimit”, thuhet në komunikatë.

Në deklaratë serbëve të Kosovës iu thuhet “qëndroni të qetë dhe mos lejoni konflikte, si dhe afirmimin ndërkombëtar të të ashtuquajturës pavarësi të Kosovës – pjesa tjetër do të zgjidhet me kohë”.

/Shqip.com