Lajme

Vuçiqit i dhembin deklaratat e Osmanit: Serbia kurrë s’ka kërkuar sanksione kundër Kosovës

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, pretendon se Serbia “asnjëherë nuk ka bërë fushatë” për vendosjen e sanksioneve kundër Kosovës, në një përgjigje të drejtpërdrejt ndaj thirrjes së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për sanksionimin e Serbisë për dhunën në veri të Kosovës.

Serbia i ka hedhur poshtë akuzat e Kosovës se ajo qëndron pas sulmit të cilësuar nga autoritetet kosovare si “tentim për ta aneksuar veriun e Kosovës”.

“Për dallim nga ata, ne nuk përpiqemi të konkurrojmë nëse Prishtinës apo dikujt tjetër do t’i ndodhë diçka e keqe. Nuk na keni dëgjuar kurrë duke bërë fushatë për sanksione ndaj tyre. Ne nuk jemi të interesuar për këtë, ne jemi të interesuar të kemi një jetë normale, që serbët në Kosovë ta kenë një jetë normale”, tha presidenti i Serbisë në Granada të Spanjës, ku po merr pjesë në Samitin e Komunitetit Politik Evropian.

Më herët gjatë ditës në Granada, Osmani tha se nuk ka arsye për ta takuar Vuçiçin, para se ndaj tij të vendosen sanksione për zhvillimet e fundit në veri të Kosovës.

/Shqip.com