Vuçiq thërret mbledhje urgjente – niset për në bazën e Rashkës
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka thirrur mbledhje të jashtëzakonshme me kryetarët e komunave të Kosovës me shumicë serbe.
Për këtë ai është nisur për në bazën ushtarake të Rashkës, raporton agjencia e lajmeve serbe Tanjug, transmeton Shqip.com
Sipas mediave në Beograd, takimi është thirrur për shkak të situatës dramatike që mbizotëroi të mërkurën në Veriun e Kosovës.
Kjo pasi, Policia e zhvilloi një aksion në nivel vendi kundër kontrabandës me mallra.
Aksionin e sotëm e ka cilësuar si “provokim”, drejtori i së ashtuquajturës zyre për Kosovën, Petar Petkoviq.
Madje, ky i fundit ka akuzuar Albin Kurtin që “po e përdor veriun për zgjedhjet lokale të 17 tetorit”.
Ndërsa, kreu i ekzekutivit kosovar, Albin Kurti ka thënë se aksioni ka përfunduar.
“Krimi dhe grupet kriminale nuk do të tolerohen dhe do të luftohen. Kontrabandën do ta luftojmë e do ta parandalojmë”, ka thënë Kurti.
Mëngjesin e së mërkurës, Policia e Kosovës nisi një aksion në nivel vendi kundër kontrabandës së mallrave.
Aksioni kishte përfshirë edhe Mitrovicën e Veriut.
“Si rezultat i hetimeve intensive dhe veprimeve profesionale policore dhe të Doganës së Kosovës, deri më tani janë sekuestruar mallra dhe dëshmi të ndryshme të cilat shërbejnë si prova materiale”, thuhej në njoftimin e Policisë.
Por, jo të gjithë ishin të bindur ndaj organeve të rendit.
Serbët lokalë në Mitrovicën e Veriut bllokuan rrugët, madje u përplasën edhe me policinë.
Sipas raportimeve të portalit në gjuhën serbe “Kosovo-online” policia kishte hedhur gazlotsjellës mbi protestuesit. /Shqip.com