Lajme

Vuçiq takon Escobar, flasin për procesin e dialogut

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka takuar në Beograd zëvendësndihmës sekretarin amerikan të shtetit dhe të dërguarin special të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Sipas njoftimit, Vuçiq përsëriti qëndrimin e pandryshuar të Serbisë në lidhje me ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe zgjidhjen e çështjeve të hapura ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.

Më tutje, Vuçiq falënderoi SHBA-në për mbështetjen që i japin dialogut Beograd-Prishtinë, si dhe për angazhimin për sigurinë dhe mbrojtjen e popullit serb në Kosovë dhe formimin e Asociacionit të Komunave Serbe, raporton RTS.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, të shtunën do të zhvillojnë takim, në Ohër të Maqedonisë së Veriut, ku me shumë gjasë pritet që të nënshkruhet nga të dy palët, plani evropian për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Bashkimi Evropian ka bërë të ditur se fillimisht, kryediplomati evropian, Josep Borrell, do të zhvillojë takime të ndara me dy liderët, nga ora 10:00, ndërkohë që më pas do të pasojë takimi kokë më kokë mes dy liderëve.

/Shqip.com